Li Ming: Veprimet e njëanshme mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve, çështja e Kosovës duhet të zgjidhet brenda Rezolutës 1244
Ambasadori kinez në Serbi, Li Ming, duke komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë, siç është vendimi i Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit, tha se Kina beson se çdo veprim i njëanshëm mund të çojë në përhapjen e panikut dhe përshkallëzimin e tensioneve, duke shtuar se të gjitha grupeve etnike duhet t'u garantohen të drejtat legjitime, duke përfshirë dhe serbët në Kosovë.
Li Ming tha për RTS se ata kanë ndjekur ngjarjet e fundit në Kosovë dhe se janë të shqetësuar për ato ngjarje.
"Ne besojmë se çdo veprim i njëanshëm mund të çojë në përhapjen e panikut dhe të çojë në një përshkallëzim të tensionit, i cili nuk është në interes të asnjërës palë pjesëmarrëse në mosmarrëveshje, as në interes të paqes në rajon dhe stabilitetit. Ne besojmë se të gjitha grupet etnike dhe të drejtat dhe siguria e tyre legjitime duhet të respektohen dhe garantohen, duke përfshirë edhe komunitetin serb dhe për këtë arsye shpresojmë që Marrëveshja e Brukselit nga viti 2013 dhe themelimi i AKS do të mund të zbatohet”, tha ai.
Li Ming thekson se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me dialog, konsultime, në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se në atë proces duhet të respektohet plotësisht sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Serbisë.
Ai thekson se në parim shpresojnë që çështja e Kosovës të zgjidhet në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe në kuadër të rezolutave përkatëse të OKB-së.
“Ne respektojmë dhe vlerësojmë përpjekjet politike të Serbisë për zgjidhjen e këtij problemi dhe çështjeje dhe shpresojmë se mund të ruajmë marrëdhënie të ngushta për këtë çështje të rëndësishme”, shtoi ai.
Duke komentuar takimin e djeshëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Li Ming thotë se ka pasur një takim të shkëlqyer me Vuçiqin, gjatë të cilit janë shkëmbyer mendime dhe ide për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për çështje që kanë të bëjnë me interesat e përbashkëta dhe shqetësimet kryesore të dy vendeve.
"Kina dhe Serbia janë miq shumë të mirë sepse kemi përvojë të ngjashme historike, ne po luftojmë për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë tonë. Kemi krijuar besim të thellë politik. Kina dhe Serbia e kuptojnë njëra-tjetrën dhe e mbështesin njëra-tjetrën", tha ai.
Ai thekson se Kina e vlerëson dhe respekton faktin që qeveria e Serbisë i përmbahet dhe respekton parimin e një Kine, dhe se kur është fjala për çështjen e Kosovës, qëndrimi i Kinës është i qartë dhe konsistent dhe i tillë ka qenë prej kohësh.
Ai rikujton se para dy ditësh Ministria e Punëve të Jashtme kineze ka bërë një deklaratë se Kina e mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Serbisë.
komentet