Lista Serbe: Do të luftojmë për ruajtjen e vendeve të punës, institucioneve dhe të drejtave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi
Kryesia e zgjeruar e Listës Serbe miratoi sot gjashtë konkluzione, në të cilat, ndër të tjera, thuhet se merr në dijeni rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe thekson se mbetet besnike ndaj politikës së ruajtjes së paqes, sigurisë, lidhjeve institucionale me Beogradin dhe mbrojtjes së çdo serbi në Kosovë. Kjo parti shton se do të luftojë për ruajtjen e vendeve ekzistuese të punës të pjesëtarëve të popullit serb në Kosovë, të ardhurave të tyre të rregullta dhe mbrojtjen e institucioneve serbe në Kosovë.
Në njoftim thuhet se Lista Serbe, si partia më e madhe politike e popullit serb në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e më shumë se 90 për qind të serbëve, merr në dijeni rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.
Lista Serbe thekson se, si organizata më e madhe dhe më e fuqishme politike e serbëve në Kosovë, do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri, përgjegjësi dhe pa kompromis për mbijetesën, interesat dhe të drejtat kolektive e individuale të popullit serb.
“Lista Serbe ka nëntë deputetë, dhjetë kryetarë komunash në të gjitha dhjetë komunat me shumicë serbe dhe shumicën prej dy të tretash në kuvendet e këtyre komunave”, thuhet në njoftim.
Në njërin prej konkluzioneve theksohet veçanërisht rëndësia e ruajtjes së vendeve të punës, pagave të rregullta të të punësuarve, vazhdimit të investimeve dhe punësimeve të reja, si dhe e përfitimeve sociale dhe formave të tjera të mbështetjes financiare për popullin serb nga buxheti i Serbisë.
“Theksojmë qartë se do të luftojmë që në asnjë mënyrë të mos vihen në pikëpyetje vendet ekzistuese të punës, të ardhurat e rregullta të të punësuarve, vazhdimi i investimeve dhe punësimeve të reja, si dhe përfitimet sociale dhe të gjitha format e tjera të mbështetjes financiare për popullin tonë nga buxheti i Republikës së Serbisë”, porosit Lista Serbe.
Shtohet se siguria ekonomike e çdo familjeje serbe, ruajtja e vendeve të punës dhe vazhdimi i zhvillimit të zonave të banuara me serbë përbëjnë çështje me rëndësi thelbësore për mbijetesën e popullit serb në Kosovë.
Kryesia e zgjeruar e Listës Serbe theksoi gjithashtu se duhet të sigurohet mbrojtja e plotë e të gjitha institucioneve serbe, veçanërisht e Kishës Ortodokse Serbe, objekteve të saj të shenjta dhe pronës, si dhe e institucioneve shëndetësore dhe arsimore që funksionojnë në sistemin e Serbisë.
“Ekzistenca e tyre, funksionimi i papenguar dhe financimi nuk guxojnë të vihen në pikëpyetje, sepse ato përbëjnë themelin e mbijetesës, identitetit dhe të ardhmes së popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftim.
Lista Serbe u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë, përfaqësuesve të jetës publike dhe mediave që të ndalojnë përhapjen e, siç thuhet, dezinformatave, pretendimeve të pabazuara dhe spekulimeve që shkaktojnë shqetësim në mesin e popullit serb.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, përfaqësuesve të jetës publike dhe mediave që të ndalojnë menjëherë përhapjen e dezinformatave, pretendimeve të pabazuara dhe spekulimeve, të cilat shkaktojnë shqetësim në mesin e popullit tonë, cenojnë besimin në institucionet serbe në Kosovë dhe Metohi dhe u krijojnë hapësirë autoriteteve në Prishtinë për veprime të reja të njëanshme të drejtuara kundër popullit serb dhe institucioneve të tij”, theksohet në njoftim.
Në këtë moment të ndjeshëm, siç shtohet, janë të nevojshme përgjegjësia, serioziteti dhe uniteti, e jo përhapja e frikës dhe pasigurisë në mesin e qytetarëve.
Në konkluzione thuhet gjithashtu se Lista Serbe mbetet besnike ndaj politikës së ruajtjes së paqes, sigurisë, lidhjeve institucionale me Beogradin dhe mbrojtjes së çdo serbi në Kosovë.
“Detyrimi ynë, që buron nga besimi i madh që na ka dhënë populli serb, është të jemi përfaqësuesi i tij politik i besueshëm dhe që, pavarësisht çfarëdo presioni, të mos heqim dorë nga lufta për të drejtat, interesat dhe të ardhmen e tij”, thuhet në njoftim.
Në fund theksohet se Lista Serbe do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe në mënyrë të bashkuar, duke u udhëhequr ekskluzivisht nga interesat e popullit serb dhe mbijetesa e tij në Kosovë.
komentet