LS: Punonjësit nuk do të hyjnë në ambulancat në fshatrat Banjë dhe Suhogërllë dhe nuk do të punojnë në kushte të imponuara
Lista Serbe njoftoi sot përmes një komunikate se vendosja e tabelave të reja treshegjuhëshe me simbole të Kosovës në objektet e ambulancave serbe në fshatrat Suhogërllë dhe Banjë në komunën e Sërbicës rrezikon të drejtat e serbëve për mjekim dhe mbrojtje shëndetësore, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reagim urgjent dhe rikthimin e ambulancave në gjendjen e mëparshme. Po ashtu, Lista Serbe thekson se punonjësit nuk do të hyjnë në këto hapësira dhe nuk do të punojnë në kushte të imponuara, pasi serbët dëshirojnë të trajtohen nga punonjës shëndetësorë serbë, duke qenë se nuk kanë besim te mjekët shqiptarë.
“Me aktin e sotëm të vendosjes së tabelës së re treshegjuhëshe me simbole të Kosovës në objektet e ambulancave serbe në fshatrat Suhogërllë dhe Banjë në komunën e Sërbicës, të cilat janë pjesë e sistemit shëndetësor serb, e që tani komuna e Sërbicës i konsideron si të sajat, rrezikohen drejtpërdrejt të drejtat themelore të popullit serb për mjekim dhe mbrojtje shëndetësore dhe shkelen garancitë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk do të ketë ndërprerje të funksionimit të këtyre institucioneve, si dhe se statusi i tyre do të zgjidhet përmes marrëveshjeve ekzistuese dhe në dialog me popullin serb”, thuhet në komunikatë.
Më tej theksohet se veprimet e njëanshme përbëjnë heqje brutale të së drejtës për mjekim për popullsinë serbe dhe shkelje të rëndë të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme.
Lista Serbe nënvizon veçanërisht se në këtë mënyrë është shkelur ajo që përfaqësuesi special i BE-së, Peter Sorensen, kishte premtuar publikisht në Prishtinë, e që ishte mbështetur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke minuar më tej besimin në garancitë ndërkombëtare të dhëna për popullin serb.
“Në bazë të informacioneve që kemi, duam të informojmë publikun se punonjësit nuk do të hyjnë në këto hapësira dhe nuk do të punojnë në kushte të imponuara, dhe se serbët në këto fshatra dëshirojnë të trajtohen nga punonjës shëndetësorë serbë, pasi nuk kanë besim te mjekët shqiptarë”, thuhet në komunikatë.
Lista Serbe u bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për një reagim urgjent dhe të qartë, duke theksuar se veprime të tilla krijojnë precedent të rrezikshëm dhe të papranueshëm që mund të ketë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin në terren.
“Kërkojmë rikthimin e menjëhershëm në gjendjen e mëparshme të ambulancave në këto fshatra dhe mundësimin e funksionimit të papenguar të tyre në kuadër të sistemit tonë shëndetësor, në mënyrë që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën për mjekim”, thuhet në fund të komunikatës.
Katër ditë pasi inspektorati i komunës së Sërbicës, me asistencën e policisë, mbylli ambulancat në fshatrat Banjë dhe Suhogërllë që funksiononin në sistemin serb, sot në objektin në fshatin Banjë u vendos një tabelë e re me mbishkrimin “Ambulanca në Banjë”, njoftoi Radio Gorazhdevc.
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, theksoi se tabelat e reja janë vendosur në mënyrë të paligjshme dhe pa pëlqimin e popullit serb, duke kërkuar që çështja e shëndetësisë të rikthehet në kuadër të propozimit të BE-së.
0 komentet