Mbështetja e Britanisë së Madhe për Kfor të paktën edhe tre vite
Forcat e armatosura britanike do të vijojnë të mbështesin misionin paqeruajtës nën udhëheqjen e NATO në Kosovë për të paktën tre vite të tjera, njoftoi Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Në deklaratën e publikuar në uebsajtin e qeverisë britanike, thuhet se Mbretëria e Bashkuar është një nga pjesëmarrësit kryesorë në forcat e NATO në Kosovë (KFOR), që nisi misionin në vitin 1999 nën mandatin e KB për të siguruar paqen dhe stabilitetin pas konfliktit të viteve ‘90.
"Ky detyrim fokusohet tek forcat rezervë prej qindra ushtarësh britanikë që mund të vendosen shpejt në Kosovë, nëse nevojitet. Dislokimi i fundit i madh ndodhi në vitin 2023, pas sulmit të dhunshëm ndaj policisë në veri të Kosovës", thuhet në deklaratë.
Theksohet se zgjatja e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për KFOR të paktën deri në dhjetor të vitit 2028, është pjesë e qasjes së qeverisë "NATO në vend të parë", e përcaktuar në Shikimin Strategjik të Mbrojtjes dhe njëkohësisht dhe qasje që forcon sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Njoftimi u bë në momentin kur kryeministri Kir Starmer në Londër organizon Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në të cilën diskutohet rreth bashkëpunimit të ngushtë në përballjen me sfidën e përbashkët-migracionin e parregullt.
Me këtë rast, Starmer deklaroi se angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur.
"Me zgjatjen e mbështetjes sonë forcave të NATO në Kosovë, tregojmë rolin tonë si aleat kryesor i NATO dhe mbetemi besnikë ndaj vlerave tona të stabilitetit dhe demokracisë. Bashkëpunimi me partnerët në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi kyçe, jo vetëm për stabilitetin e rajonit, por edhe për sigurinë në shtëpi", tha Starmer, bëhet e ditur në deklaratë.
Nga qeveria Britanike thuhet se Kosova është partner i rëndësishëm bilateral i Mbretërisë së Bashkuar dhe se ajo ishte e para që e njohu pavarësinë e saj në vitin 2008.
"Misioni ndërkombëtar paqeruajtës i NATO i cili mbështetet nga më shumë se 30 shtete, u krijua pas fushatës ajrore 78-ditore të NATO në vitin 1999 ndaj Republikës Federative të Jugosllavisë, me qëllim ndaljen e katastrofës humanitare në Kosovë", theksohet.
Ndërkohë, shtohet se Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar përgatit nisjen e kursit të ri të destinuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili nis në fillim të vitit të ardhshëm.
"Qëllimi i kursit është forcimi i mirëkuptimit mes institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë rreth çështjeve të mbrojtjes civile, përfshirë dhe promovimin e rolit të grave në sektorin e mbrojtjes. Ky lloj trajnimi konsiderohet si një nga mënyrat më efekase për parandalimin e konfliktit dhe inkurajuar zhvillimin e rrjetit të ekspertëve në rajon që mund të bashkëpunojnë në të ardhmen. Mbretëria e Bashkuar do të ftojë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Sërbinë të marrin pjesë", theksohet në deklaratë.
Ministri i Forcave të Armatosura, Alister Karns, tha se trupat britanike gjatë dekadave kanë kryer qindra misione në kuadër të KFOR.
"Zgjatja e këtij detyrimi do të kontribuojë në siguri më të madhe të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor. Ruajtja e paqes është komponent kyç i angazhimit tonë për t’a mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt në vend dhe të fortë jashtë vendit dhe do të dëshiroja të falënderoja qindra ushtarë britanikë që janë ende të gatshëm të angazhohen për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar dhe Europën të sigurta", tha ai.
Prej Ministrisë Britanike e Mbrojtjes thuhet se forcat britanike kanë punuar për të përmirësuar aftësitë e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit të KFOR duke rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin e komandantëve të misionit për situatën-duke siguruar që operacioni të mund të ofrojë mjedis të sigurt për të gjithë popullsinë.
komentet