Ministria e Kulturës e Serbisë: Dënojmë ashpër përpjekjen më të re për përvetësimin e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë

Pecka patrijarsija 1
Burim: Kosovo Online

Lidhur me vizitën e nxënësve të Shkollës së Mesme Teknike „Rifat Gjota” në Patriarkanën e Pejës dhe publikimin e Muzeut Arkeologjik në Pejë për këtë rast, Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, në përputhje me paralajmërimet e mëparshme, dënon ashpër shembullin më të ri të përpjekjes për përvetësimin e trashëgimisë kulturore serbe përmes falsifikimit të historisë në mënyrën më bizare, thuhet në reagimin për Kosovo online.

„Sikur të mos mjaftonte që Patriarkana e Pejës ndodhet në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s si kryevepër e arkitekturës serbo-bizantine, sikur të mos mjaftonte që është ndërtuar nga kryepeshkopët serbë për një shekull, sikur të mos mjaftonte që bëhet fjalë për selinë e Kishës Ortodokse Serbe, ku është vendosur Patriarkana e saj, sikur të mos mjaftonte që është ngritur në mesin e shekullit XIII si seli e kryepeshkopëve serbë dhe vend varrimi i disa prej tyre, sikur të mos mjaftonte që është djegur nga ekstremistë shqiptarë në vitin 1981“, thuhet në përgjigjen me shkrim për portalin tonë.

Shtohet se, pavarësisht të gjitha këtyre, dhe në mungesë të çdo trashëgimie të vet kulturore, „institucionet“ shqiptare nuk hezitojnë të përvetësojnë atë serbe.

„Në një mori fabrikimesh, falsifikimesh, fantazmagorish, manipulimesh dhe gënjeshtrash cinike se serbët kanë përvetësuar trashëgiminë e tyre kulturore(!?), ndoshta më kërcënuese tingëllon mesazhi ‘që kjo iniciativë duhet të shërbejë si shembull dhe nxitje edhe për shkollat e tjera’. Pra, ata që duhet të mësojnë të vërtetën dhe vlerat kulturore, duhet të bëhen shembull për falsifikimin e historisë dhe vjedhjen e trashëgimisë kulturore“, thuhet në reagim.

Theksohet se nga kjo del qartë se ekstremizmi shqiptar jo vetëm që nuk heziton të përdorë përvetësim brutal dhe gënjeshtra të hapura për të marrë trashëgiminë kulturore serbe, por synon të përfshijë në këtë edhe institucionet arsimore.

„Pikërisht për këtë arsye ky shembull është njëkohësisht tronditës dhe tragjik. Monstruoziteti i këtij akti nuk qëndron vetëm në përdorimin e institucioneve arsimore për të mbjellë gënjeshtra në mendjet e fëmijëve, por edhe në faktin se falsifikime të tilla shpesh kanë qenë hyrje në dhunë të përgjithshme ndaj popullit serb, jo vetëm ndaj trashëgimisë kulturore dhe kulturës në tërësi. Prandaj, një ‘shembull dhe nxitje’ i tillë paraqet një pamje groteske të keqpërdorimit të rinisë dhe fëmijërisë në funksion të krijimit të një shteti të rremë mbi histori të rreme dhe mbi trashëgiminë kulturore serbe. Për këtë arsye, Ministria e Kulturës do të vazhdojë të kundërshtojë shkatërrimin e vlerave civilizuese, veçanërisht në raste të tilla shqetësuese, kudo dhe në çdo kohë, në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore serbe, të së vërtetës historike dhe të vlerave universale njerëzore“, përfundohet në reagim.

Nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike „Rifat Gjota” dje, në organizim të Muzeut Arkeologjik në Pejë, vizituan Patriarkanën e Pejës, e cila në njoftimin e muzeut në rrjetet sociale u paraqit si „kompleks i kishave fillestare pararomane dhe bizantine që janë transformuar sistematikisht në kisha ortodokse rashko-serbe“.

Gazetari dhe shkrimtari nga Graçanica, Zhivojin Rakoçeviq, i cilësoi këto pretendime të Muzeut në Pejë si një absurditet shkencor, jetësor dhe publik.

 

MINISTRIA E KULTURËS, PATRIARKANA E PEJËS, TRASHËGIMIA KULTURORE, PËRVETËSIMI