Mitiq: Metodat e dobëta të presionit të Brukselit, Sorensen veproi “nën radar”

Mitić
Burim: Kosovo Online

Bashkëpunëtori i lartë shkencor në Institutin për Politikë Ndërkombëtare dhe Ekonomi në Beograd, Aleksandar Mitiq, vlerëson për Kosovo online se viti i kaluar nuk ishte i përshtatshëm për një dialog serioz politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, e mori mandatin në një moment që nuk ishte aspak i lehtë për të.

Mitiq thekson se Sorensen nuk është diplomat i profilit të lartë dhe se është e qartë se ai ka dashur të veprojë “nën radar”, ashtu siç kanë qenë edhe rrethanat.

„Fakti është se në Prishtinë nuk ka pasur pushtet plotësisht funksional dhe se fushata zgjedhore ishte praktikisht e përhershme. Nga ana tjetër, politika e diskriminimit ndaj serbëve ka vazhduar gjatë gjithë vitit dhe, në njëfarë mënyre, është zhbllokuar pjesërisht në tremujorin e fundit të vitit 2025 me zgjedhjet lokale dhe me vendimin në Bruksel për të paralajmëruar heqjen e masave restriktive. Pra, nuk ishte një vit për dialog serioz politik. Duket se, në njëfarë mase, kanë ekzistuar kontakte me Beogradin dhe se ato kanë qenë korrekte, por përveç atyre teknike nuk ka pasur lëvizje të veçanta politike“, thotë Mitiq.

Sipas tij, është mirë që nuk janë krijuar dinamika artificiale aty ku ato nuk ekzistojnë dhe ku as nuk mund të ekzistojnë.

„Kam frikë se tani, në këto rrethana të ndryshme, kur kemi një situatë tjetër në Prishtinë, mund të vijmë në një situatë ku do të krijohet një lloj dinamike artificiale dhe përpjekje për presione ndaj Beogradit, i cili tashmë ndodhet nën presion për shumë çështje të tjera dhe që me gjasë do të hyjë në një vit zgjedhor“, thekson ai.

Sorensen, sipas bashkëbiseduesit tonë, ka shumë pak mekanizma në duar me të cilët do të mund t’i detyronte të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura më parë.

„Fakti është se roli i tij nuk është i atij profili që e kishte Lajçaku në periudhën e mëparshme dhe duket se ai nuk i ka instrumentet e presionit që ndoshta kanë ekzistuar më herët. Shefja e tij, Kaja Kallas, është në masë të madhe e përqendruar në zgjidhjen e çështjeve të tjera, para së gjithash konfliktin në Ukrainë, dhe ose nuk ka interesim ose nuk ka kohë të mjaftueshme të merret me këtë çështje“, thotë Mitiq.

Mbetet të shihet, shton ai, se si do të duket viti 2026, veçanërisht në rast se arrihet një marrëveshje rreth konfliktit në Ukrainë dhe fokusi zhvendoset disi më shumë drejt rajonit tonë.

„Është treguar se Brukseli ka disa metoda presioni, se ato janë të dobëta, por se pjesërisht, në bashkëpunim me Uashingtonin, mund të krijojnë njëfarë presioni. Ndoshta ndaj Prishtinës ka pasur ndikim shumë më të madh vendimi i Uashingtonit për të pezulluar të ashtuquajturin dialog strategjik, sesa ajo që BE-ja dhe Sorensen kanë në dorë“, thekson ai.

Ndaj Beogradit, siç vlerëson ai, vështirë se mund të ushtrohet ndikim më i madh se ai që tashmë ekziston dhe që përfshihet në vlerësimet e Komisionit Evropian lidhur me hapjen e Klasterit 3 dhe, në përgjithësi, me përparimin në integrimet evropiane.

„Se si do të duket situata pas formimit të pushteteve të reja në Prishtinë mbetet për t’u parë, nëse do të kthehemi në periudhën para vitit 2025 dhe vazhdimin e politikës së veprimeve të njëanshme të Albin Kurtit dhe të eskalimit, apo do të vazhdojë kjo periudhë e një deeskalimi relativ“, thekson Mitiq.