Mojanoski: Që nga rënia e Murit të Berlinit, shtetet ballkanike janë kthyer vazhdimisht në të kaluarën

Cane Mojanoski
Burim: Kosovo Online

Profesori universitar nga Shkupi, Cane Mojanoski, vlerësoi se Rezoluta e miratuar së fundmi për Jasenovcin në Parlamentin e Malit të Zi duhet të interpretohet përmes një pasqyre më të gjerë në të cilën vendet e Ballkanit vazhdimisht po i kthehen të kaluarës që nga rënia e Murit të Berlinit dhe se historia e 100 viteve të fundit është një temë e preferuar e politikanëve.

“Në Ballkan në 100 vitet e fundit, ndoshta edhe më gjatë, historia ka qenë temë e preferuar e shumë strukturave politike dhe shtetërore. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe ripërcaktimit të pozicioneve gjeostrategjike të rënë dakord në vitin 1944, lind nevoja që shtetet e pavarura ballkanike të kthehen vazhdimisht në të kaluarën. E kaluara është shfrytëzuar si mundësi e mirë për të hapur sa më shumë çështje të caktuara me të cilat ata i drejtohen publikut të tyre, pa marrë parasysh se kjo do të shkaktojë shqetësim te fqinjët të cilët ndjehen të prekur për çfarëdo arsye”, thotë Mojanoski.

Ai shton se këtë e ka lehtësuar ripërcaktimi i ngjarjeve nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat, nënvizon, janë përdorur sërish për qëllime politike.

“Në agjendat politike të shumë liderëve shtetërorë dhe partiakë në Ballkan, kultura e kujtesës instrumentalizohet për qëllime politike apo partiake. Në atë kontekst, mund të konsiderojmë se kjo rezolutë më shumë është e dedikuar për strukturat qeverisëse në Mal të Zi se sa për interesat e vetë shtetit”, thekson Mojanoski.

Ai nuk e përjashton mundësinë që rezoluta të jetë një “mesazh” për elektoratin në Mal të Zi, por edhe një përgjigje ndaj Rezolutës për Srebrenicën.

“Duhet theksuar se Rezoluta mund të shihet me synimin e relativizimit të Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën, e cila është edhe në interes të njërit prej kombeve ballkanike. Në këtë kuptim, ndoshta reagimet e shtetit kroat apo strukturave kroate duhet të shihen si mënyrë për të vënë në dukje nevojën e aktualizimit të kësaj çështjeje”, thotë Mojanovski.

I pyetur nëse kjo rezolutë do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet në rajon, ai me shaka përgjigjet se deri tani ka ndodhur shumë, qoftë edhe në këngë.

“Në Ballkan, nëse këndon një këngë, do të jetë arsye e mjaftueshme për të hapur disa nga çështjet që lidhen me krijimin e shteteve të mëdha, për të dalë me interpretime nacionaliste dhe të tjera të ndryshme të historisë dhe pozicionit të grupeve apo individëve në Ballkani”, shpjegon Mojanovski.

Ai përfundon se Maqedonia e Veriut, e cila ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të insistojë që ngjarjet historike të mos përdoren për të përkeqësuar apo prishur më tej marrëdhëniet në rajon.

“Një reagim i tillë mund të jetë vetëm një motiv shtesë për ata që janë të frymëzuar që ta shtyjnë Ballkanin në pozitën e një fuçie baruti dhe t'i intensifikojnë ato aktivitete. Të shpresojmë se në këtë kontekst Maqedonia do t'i realizojë qëllimet dhe interesat e veta dhe do t'i përkrah ato përpjekje që çojnë në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë në Ballkan dhe në mes fqinjëve të saj”, thekson Mojanoski.