MPJ e Serbisë: Marrëveshjet bilaterale ushtarake në rajon kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe thellojnë ndarjet

Ministarstvo spoljnih poslova Srbije
Burim: Ministarstvo spoljnih poslova Srbije

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Serbisë ka bërë të ditur se me shqetësim po ndjek deklaratat dhe paralajmërimet e disa zyrtarëve në rajon që lidhen me nënshkrimin dhe zgjerimin e marrëveshjeve bilaterale për bashkëpunim ushtarak mes shteteve të rajonit.

„Serbia rikujton se i gjithë Ballkani mbetet ende një zonë e ndjeshme post-konfliktuale, në të cilën ruajtja e paqes dhe stabilitetit është me rëndësi thelbësore, si për vendet e rajonit, ashtu edhe për Evropën në tërësi. Pikërisht për këtë arsye, çdo hap i pamjaftueshëm transparent që mund të interpretohet si krijim i blloqeve ose aleancave ushtarake të drejtuara kundër palëve të treta, kontribuon në rritjen e tensioneve dhe thellon ndarjet, në vend që të ndërtojë besim dhe të përmirësojë bashkëpunimin“, thuhet në njoftim.

MPJ e Serbisë thekson posaçërisht se mungesa e transparencës dhe mospërfshirja e konsultimeve të zakonshme lidhur me këto marrëveshje hap hapësirë për dyshime dhe nxit atmosferë mosbesimi, gjë që është, siç thuhet, në kundërshtim me vlerat evropiane të dialogut, parashikueshmërisë dhe respektit të ndërsjellë.

„Rikujtojmë gjithashtu se disa nga shtetet që marrin pjesë në këto aranzhime janë tashmë anëtare të Natos, prandaj siguria e tyre është plotësisht e garantuar nga mekanizmat ekzistues kolektivë. Për këtë arsye shtrohet pyetja për motivet dhe qëllimet e vërteta të këtyre marrëveshjeve bilaterale, të cilat nuk kanë arsyetim të qartë ushtarak, por mbartin simbolikë të fuqishme politike dhe dërgojnë mesazhe negative në rajon. Nuk e kuptojmë as arsyen e përjashtimit të disa shteteve nga këto forma bashkëpunimi“, thekson MPJ.

Shtohet se Republika e Serbisë vlerëson se rruga e drejtë për forcimin e besimit dhe bashkëpunimit në rajon është investimi në mekanizmat e trajnimeve të përbashkëta, mbrojtjes civile dhe reagimit të koordinuar në situata emergjente, siç janë përmbytjet, zjarret dhe tërmetet. Theksohet se kjo do t’i sillte përfitime konkrete dhe të qëndrueshme qytetarëve të të gjitha vendeve.

„Republika e Serbisë mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon dhe pret nga të gjithë partnerët që në këtë frymë të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar interesat legjitime të të gjitha palëve“, përfundon njoftimi.