MPJ të Spanjës: Nuk ndryshojmë qëndrim për çështjen e Kosovës, dialogu është mënyra e vetme drejt zgjidhjes

Lajčak i Albares.jpg
Burim: Reporteri

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës Elena Alarila Kortezon ka thënë se Spanja nuk ka ndryshuar qëndrim rreth mosnjohjes së Kosovës dhe se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, është mënyra e vetme për nënshkrimin e një zgjidhjeje përfundimtare, transmeton Gazeta Ekspres.

Ajo ka komentuar takimin e të dërguarit të BE për dialog mes Kosovës dhe Sërbisë Mirosllav Llajçak me ministrin e punëve të jashtme të Spanjës Hoze Manuel Albares duke nënvizuar se Llajçak në këtë takim ka informuar Albarezin me përpjekjet e BE rreth dialogut dhe çtensionimit të situatës në Kosovë. 

Sipas saj, Kortezon në takimin me Llajçakun ka thënë se si gjithmonë Spanja ofron mbështetje dhe qasje konstruktive në një zgjidhje që të jetë e pranueshme nga të dy palët.

"Llajçak në takim, ka informuar Albarezin me përpjekjet e tij për promovimin e dialogut mes Beogradit e Prishtinës dhe çtensionimin e situatës. Si gjithmonë Spanja ka treguar mbështetje për punën e përfaqësuesit special dhe përcolli qëndrimin konstruktiv për një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët” ka thënë Kortezon.

Kjo e fundit është shprehur se megjithatë, Spanja ashtu sikurse edhe disa vende të tjera të BE, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet rreth çështjes së pavarësisë së Kosovës. 

"Spanja ashtu sikurse dhe vende të tjera të BE, nuk ka ndryshuar qëndrim rreth pavarësisë së Kosovës dhe thekson se dialogu mes Beogradit e Prishtinës është e vetmja mënyrë për të nënshkruar një zgjidhje të përhershme rreth këtij territori të kontestuar” ka thënë Kortezon.