Muça: Interesi për sigurimin e financimit nga BE-ja mbizotëron mbi çdo prioritet tjetër rajonal
Ligjëruesi në Universitetin “Marin Barleti” në Tiranë, Erion Muça, thotë se shtyllat kryesore të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor janë lufta kundër korrupsionit, përafrimi i legjislacionit të shteteve me atë të Bashkimit Evropian si kusht për anëtarësim në Union, si dhe financimi që është kryesisht strategjik dhe që shërben jo vetëm për një vend të caktuar, por për tërë rajonin.
Muça thotë se interesi për sigurimin e financimit mbizotëron ndaj çdo prioriteti tjetër rajonal dhe se iniciativat në Ballkanin Perëndimor që ishin ndërmarrë më herët pothuajse janë zhdukur ose kanë rënë nga lista e prioriteteve të qeverive të vendeve të rajonit, pasi janë lënë në hije nga mbështetja dhe lehtësimet që BE-ja zbaton përmes uljes së burokracisë për pagesën e fondeve dhe për financimin e disa sektorëve të ekonomisë dhe tregut.
„Një pjesë e fondeve të BE-së (nga Plani i Rritjes) vjen si financim për projekte të ndryshme, si në infrastrukturë, ashtu edhe për ato që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, duke mbështetur modernizimin dhe standardizimin e shumë hallkave të zinxhirit institucional apo edhe ngritjen e disa qendrave inovative. Qëllimi është që këto vende të përshtaten me mënyrën e funksionimit të Evropës së bashkuar dhe të arrihet zhvillimi më i qëndrueshëm ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor,“ deklaroi Muça për Kosovo online.
Duke pasur parasysh se Kosova ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen me BE-në për Planin e Rritjes, Muça thotë se Kosova ka mbetur dukshëm prapa në zgjidhjen e problemeve të saj të brendshme politike, gjë që në një mënyrë ose në një tjetër tregon pasiguri lidhur me mënyrën se si do të shpërndahen apo investohen fondet e BE-së.
„Ekziston frika se këto mjete mund të përdoren për interesa politike të pushtetit ose për mbështetje politike ndaj një partie të caktuar që dëshiron të jetë dominante. Kjo situatë është arsyeja pse Bashkimi Evropian nuk i ka ndarë fondet shtetit të Kosovës,“ vlerëson ai.
Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Muça thotë se këto vende ishin të balancuara në marrëdhëniet e tyre diplomatike me Bashkimin Evropian dhe se shumica e tyre nuk promovuan drejtpërdrejt mbështetje për Rusinë, si një vend që aktualisht është në luftë me Ukrainën, ndërsa Serbia u shfaq hapur në takime të ndryshme pro-ruse.
"Kjo pati një ndikim politik në faktin se dhënia e fondeve për Serbinë u shoqërua me kushte të caktuara që ajo të ndryshonte qëndrimin e saj politik pro-rus dhe të ishte më e balancuar të paktën në vendimet dhe qëndrimet e saj me Bashkimin Evropian nga njëra anë, dhe me vendet mike si Rusia nga ana tjetër. Pra, BE-ja e inkurajon Serbinë të shohë interesat e qytetarëve të saj në vend të interesave të caktuara gjeopolitike që lidhen me marrëveshje të ndryshme tregtare. Pozicionimi pro-rus i Serbisë ka dëmtuar marrëdhënien që Beogradi ka me BE-në në lidhje me dhënia e fondeve të caktuara. Kjo nuk ndodh me vendet e tjera në rajon, të cilat ishin shumë të kujdesshme", është i mendimit Muça.
0 komentet