Orliq me Galibafin: Irani respekton sovranitetin e Serbisë, qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Vladimir Orliq, ndodhet në një vizitë zyrtare në Teheran, ku pas një pritjeje ceremoniale në Parlamentin e Iranit, u takua me kryetarin e Asamblesë Konsultative Islamike, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili konfirmoi se vendi i tij respekton pa mëdyshje integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe se nuk do të ndryshojë qëndrim.
Siç është njoftuar nga Kuvendi i Serbisë, gjatë takimit me Orliqin, Galibaf edhe një herë konfirmoi përkushtimin e vendosur të Iranit për të vazhduar forcimin e lidhjeve me Serbinë, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në respektin dhe mirëkuptimin reciprok, si dhe mbështetjen e ndërsjellë në organizatat ndërkombëtare.
Ai tha se Serbia është një vend kyç në Ballkanin Perëndimor, si dhe një partner i rëndësishëm në politikën e jashtme të Iranit. Ai përsëriti se vendi i tij pa mëdyshje respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe se ky qëndrim do të mbetet i pandryshuar, për të cilin Orliq e ka falënderuar.
“Duke vendosur të mos e njihni të ashtuquajturën Kosovë, ju dëshmuat se nuk jeni vetëm në anën e Serbisë, por edhe në anën e së drejtës ndërkombëtare publike, parimeve të OKB-së, si dhe në anën e paqes”, tha Orliq gjatë takimit me Galibafin.
Orliqi, shtohet në deklaratë, e njoftoi Galibafin për situatën jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë, terrorin me të cilin po përballet populli serb dhe synimet e Prishtinës për t'i futur të gjithë në luftë.
“Ai gjithashtu e njohu atë me përpjekjet e ndërmarra nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, duke thënë se Serbia mbetet e përkushtuar për progres gjithëpërfshirës dhe arritjen e rezultateve historike në ekonomi, infrastrukturë dhe fusha të tjera”, thuhet në deklaratë.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë e ndërsjellë për vizitën e Orliqit, duke e vlerësuar atë si të vlefshme për vazhdimin e diskutimeve për përmirësimin e marrëdhënieve tradicionalisht miqësore mes dy vendeve dhe dy popujve, si dhe për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm.
Kryetarët e parlamenteve, duke diskutuar për sferat kyçe në të cilat ka vend për punë të mëtejshme të përbashkët, theksuan bashkëpunimin në fushën e tregtisë, bujqësisë dhe energjetikës.
Përveç takimit me Galibafin, të cilit i bëri ftesë për një vizitë zyrtare në Serbi, Orliq në Iran u takua edhe me nënkryetarin e Kuvendit të Këshillit Islamik, Moxhtabe Zavalnuri, me të cilin konfirmoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy parlamenteve dhe potencialin për një partneritet edhe më të fortë ndërmjet Serbisë dhe Iranit.
0 komentet