Pantoviq: Prokurori ka humbur nga vëmendja elemente të rëndësishme gjatë caktimit të dënimit të parashikuara me ligj
Avokati i Bllagoje Spasojeviqit, Lubomir Pantoviq, theksoi se prokurori gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare në rastin e Banjskës dhe kërkesës për dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit – Dushan Maksimoviq, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq – ka humbur nga vëmendja elemente të rëndësishme për caktimin e dënimit, të cilat janë të përcaktuara me ligj. Mbrojtja do të paraqesë fjalën përfundimtare më 20 prill.
Prokurori Naim Abazi dhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara kërkuan gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.
Pantoviq theksoi se ky rast ka një dimension krejtësisht tjetër, të cilin mbrojtja do ta paraqesë të hënën.
“Kur prokurori e lexon aktakuzën në mënyrë dramatike, pa e ngritur kokën nga letra, dhe kur e gjithë kjo shoqërohet me incizime dhe fotografi nga Banjskë, atëherë njerëzve u duket se gjithçka që thotë prokurori është e vërtetë. Nuk është e vërtetë. Ky rast, të paktën sa i përket këtyre tre të akuzuarve, ka një dimension krejtësisht tjetër, për të cilin ne do të flasim të hënën. Besoj se përshtypja do të jetë krejt ndryshe pas fjalës përfundimtare të mbrojtjes”, tha Pantoviq.
Ai theksoi se sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, përfaqësuesit e palëve të dëmtuara nuk kanë të drejtë të flasin për dënimin gjatë fjalës përfundimtare.
“Prokurori ka të drejtë dhe ai ka propozuar atë që ka propozuar, por ai ka humbur plotësisht nga vëmendja disa elemente të rëndësishme gjatë caktimit të dënimit, të parashikuara me ligj. Për këtë do të flasim më shumë të hënën”, tha Pantoviq.
Avokati Millosh Delleviq theksoi se edhe pas dy vjet e gjysmë nga ngjarjet në Banjskë, ende nuk dihet se cili ka qenë roli konkret i klientit të tij, Vlladimir Tolliq.
“Sot dëgjuam fjalën përfundimtare të prokurorit special dhe përfaqësuesve të palëve të dëmtuara. Megjithatë, edhe pas dy vjet e gjysmë nga ngjarjet në Banjskë, ne nuk e dimë se cili ka qenë roli konkret i Vlladimir Tolliqit. Dëgjuam vetëm që kërkohet dënim me burgim të përjetshëm. Por një dënim i tillë pa prova konkrete për atë që ka bërë Vlladimir Tolliq dhe çfarë roli ka pasur atë ditë, besoj se nuk do të kalojë në gjykatë”, tha Delleviq.
Mbrojtja do të paraqesë fjalën përfundimtare në këtë rast më 20 prill.
Maksimoviq, Tolliq dhe Spasojeviq akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, si dhe për terrorizëm. Ata u arrestuan menjëherë pas ngjarjeve në Banjskë në vitin 2023 dhe që nga atëherë ndodhen në paraburgim.
Ata janë pjesë e aktakuzës që Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti më 11 shtator 2024 kundër 45 personave në rastin e Banjskës.
Gjykimi ndaj të akuzuarve filloi më 9 tetor 2024, ndërsa më 16 janar të këtij viti u kthye në fillim për shkak të ndryshimeve në trupin gjykues.
komentet