Pavkoviq: Haradinaj ka lënë të hapur mundësinë që të jetë kandidat për president të Kosovës

Pavković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane nga Beogradi, Millosh Pavkoviq, vlerëson se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me lider të ri, do të ketë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme të konsolidohet, ndërsa kryetari i deritanishëm i partisë, Ramush Haradinaj, me tërheqjen e tij të papritur, ka lënë hapësirë që të mund të jetë kandidat për president të Kosovës.

“Sa i përket së ardhmes, do të jetë një parti në opozitë që ka gjashtë për qind dhe një numër të kufizuar mandatesh, por më duket se, duke qenë se nuk priten zgjedhje të reja së shpejti sepse qeveria sapo është zgjedhur, partia, nën drejtimin e liderit të ri, do të ketë kohë të konsolidohet”, thotë Pavkoviq për Kosovo online.

Siç thekson, rezultati zgjedhor i AAK-së nuk është aq i dobët krahasuar me PDK-në dhe LDK-në.

“AAK ka fituar gati gjashtë për qind në zgjedhjet e dhjetorit, edhe pse e ka lënë Fatmir Limaj, ky është një rezultat relativisht i mirë, duke pasur parasysh rezultatet e tyre të mëparshme”, tha ai.

Siç shtoi, shtrohet pyetja pse Haradinaj në këtë moment vendosi të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.

“Edhe pse nuk kemi asnjë paralajmërim, edhe pse ai e ka mohuar se po negocion për postin e presidentit, Haradinaj ka lënë hapësirë që kjo të mund të ndodhë, nëse vjen një ofertë. Nga ana tjetër, më duket se Kurti në një farë mënyre i ka një borxh Vjosa Osmanit, e cila me veprimet e saj i solli përparësi në zgjedhjet e dhjetorit. Koha do ta tregojë, por më duket se një tërheqje kaq e papritur nga politika nuk është karakteristike për politikanët në Ballkan, prandaj Haradinaj ka lënë mundësi për një angazhim të tij të mëtejshëm”, tha Pavkoviq.

Sa i përket kandidaturës së Haradinajt, shton Pavkoviq, do të vendosë kryeministri Albin Kurti.

“Është e vështirë të parashikohet në këtë moment nëse dhe si do të kandidojë ai. Presidenti zgjidhet në Kuvendin e Kosovës. Atë mund ta propozojë një grup deputetësh, jo ai vetë, por kjo do të varet para së gjithash nga vlerësimi i Kurtit se si qëndron puna me zgjedhjen e Vjosa Osmanit. Ai do të vlerësojë nëse ndoshta është më mirë të shkojë me Haradinajn, apo ndoshta me ndonjë kandidat të tretë”, përfundoi Pavkoviq.