Spahiu: Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga qytetarët, jo nga parlamenti
Nexhmedin Spahiu beson se metoda e zgjedhjes së presidentit të Kosovës përfaqëson një pengesë të vazhdueshme për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës dhe se ai duhet të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Për Kosovo online vlerëson se kjo do të ndikonte edhe në pozicionin e pakicave etnike.
Spahiu shpjegon se vetëm Kosova dhe Shqipëria në Ballkan zgjedhin presidentin në parlament.
"Zgjedhja e presidentit të Kosovës është ajo që do ta pengojë gjithmonë shoqërinë e Kosovës, sepse në Ballkan, nga Turqia në Rumani dhe Slloveni, të gjithë zgjedhin presidentin me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Vetëm në Kosovë dhe në Shqipëri vendos parlamenti", tha ai.
Ai shton se në Shqipëri, presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ndërsa në Kosovë, nevojitet një shumicë prej dy të tretash për të zgjedhur presidentin, gjë që, sipas tij, është një problem i madh.
"Kjo është arsyeja pse duhet të ndryshohet dhe presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në dy raunde, gjithmonë do të votohet se kush do të jetë president", tha Spahiu.
Ai thekson se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të kishte një ndikim të rëndësishëm në pozicionin e pakicave etnike. "Dhe kjo nuk është vetëm në interes të shumicës, por edhe të pakicës etnike në Kosovë, sepse nëse do të kishte disa kandidatë për president, ata do të duhej të shkonin në zonat ku jetojnë serbët, boshnjakët dhe turqit, sepse çdo votë mund të ishte vendimtare për ta", shpjegoi ai.
Sipas tij, kandidatët që kërkojnë votat e pakicave do të duhej të zotoheshin për të përmbushur premtimet e tyre.
"Mund t'i gënjesh një herë, por nuk mund t'i gënjesh një herë tjetër. Pra, kjo do të ndikonte edhe në përmirësimin e jetës dhe pozicionit të pakicave në Kosovë, gjë që është e rëndësishme për çdo vend, veçanërisht për ato që janë më të vogla dhe varen nga marrëdhëniet fqinje dhe ndërkombëtare si Kosova", tha Spahiu.
Ai përfundon se pozicioni i pakicave etnike duhet të sigurohet jo vetëm formalisht, por edhe në praktikë.
"Mendoj se duhet të mirret parasysh, në mënyrë që pozicioni i pakicave etnike të jetë në nivelin më të lartë, jo vetëm në letër, por edhe në realitet, në mënyrë që shoqëria të mund të ecë përpara", shtoi Spahiu.
0 komentet