Petkoviq: Aleanca trepalëshe e drejtuar kundër Serbisë, rrezikon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Petar Petković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, vlerësoi se bashkëpunimi i Shqipërisë, Kroacisë dhe Prishtinës në fushën e mbrojtjes është një aktivitet që rrezikon drejtpërdrejt stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pasi, siç theksoi ai, është e qartë se ky bashkëpunim nuk motivohet nga interesa ekonomike apo nga nevoja për të kontribuar në prosperitetin rajonal, por nga qëllime malinje.

“Sërbia, si një shtet ushtarakisht neutral dhe shtyllë e stabilitetit të rajonit, është objektivi i qartë i këtij pakti trepalësh dhe aleanca e Shqipërisë, Kroacisë dhe Prishtinës është e drejtuar drejtpërdrejt kundër vendit tonë dhe me synimin për destabilizimin e rajonit”, theksoi Petkoviq në një deklaratë.

Sipas tij, Shqipëria dhe Kroacia tashmë i përkasin një aleance më të madhe ushtarake dhe, si shtete sovrane, mund të bashkëpunojnë sipas dëshirës së tyre, por përfshirja e Prishtinës në iniciativa formale të sigurisë është në kundërshtim me interesat kolektive në rajon dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Kjo është një provokim i drejtpërdrejtë dhe një sulm ndaj interesave jetike shtetërore dhe kombëtare serbe. Krahina jugore serbe, Kosova dhe Metohia, është një zonë postkonflikti në të cilën për paqen dhe sigurinë kujdeset prania ushtarake ndërkombëtare KFOR, dhe ky është më se një kuadër i mjaftueshëm në të cilin vende si Kroacia dhe Shqipëria tashmë marrin pjesë. Përfshirja formale e Prishtinës në disa aranzhime mbrojtëse dhe të sigurisë, megjithatë, përbën një precedent të rrezikshëm dhe një shprehje të hapur të animozitetit ndaj Serbisë si një fqinj paqedashës dhe me qëllime të mira”, theksoi Petkoviq.

Ai shtoi se Kroacia dhe Shqipëria, në vend që të investojnë në destabilizimin e rajonit, duhet të angazhohen që Ballkani Perëndimor më në fund të bëhet një zonë e përparimit paqësor dhe prosperitetit dhe, në këtë drejtim, të marrin shembull nga politika e paqes dhe zhvillimit ekonomik që Serbia e mbron dhe e zbaton fuqishëm.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi sot se, në bazë të deklaratës së përbashkët trilaterale, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministrat e mbrojtjes të Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, është mbajtur një takim trilateral i drejtorëve për politikën e mbrojtjes dhe armatimit.