Petkoviq: BKS ende nuk është formuar, pa të nuk ka bashkëjetesë në K&M

Petar Petković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi Petar Petkoviq është shprehur sot me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit se as pas 13 vitesh Bashkësia e Komunave Sërbe si “zemër e kësaj marrëveshjeje”, nuk është formuar, ndërsa institucionet prishtinase të udhëhequra nga Albin Kurti në vend të respektimit të marrëveshjes, punojnë vazhdimisht në frikësimin dhe privimin nga vota të sërbëve.

"Delegacionet e Beogradit dhe të Prishtinës nën ndërmjetësimin e Unionit Europian, më 19 prill të vitit 2013 nënshkruan Marrëveshjen e Parë rreth parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve, por as sot pas 13 vitesh, zemra e asaj marrëveshjeje, Bashkësia e Komunave Sërbe, ende nuk është formuar pavarësisht garancive të forta nga Unioni Europian", qartësoi Petkoviq.

Ky i fundit tha se zbatimi i marrëveshjes nënkuptonte egzistencën e sinqeritetit dhe vullnetit të mirë të nënshkruesve, që në Prishtinë kurrë nuk ka egzistuar, ndërsa nomenklatura politike e atjeshme derimë sot sfidon haptazi mesazhet se për ta, marrëveshja e Brukselit është e parëndësishme.

Petkoviq në deklaratë, kujtoi se Beogradi i ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta, por që pjesa kyçe e Marrëveshjes së Parë të Brukselit janë dispozitat që lidhen me formimin e BKS, që duhet të jetë themeli për mbrojtjen e pozitës dhe të drejtave të popullit sërb, çka padyshim do të kontribuonte në stabilitetin shoqëror e politik në Kosovë.

“Strukturat politike në Prishtinë të udhëhequra nga Albin Kurti prej vitesh në vend që të respektojnë marrëveshjen, punojnë vazhdimisht për të frikësuar dhe privuar nga e drejta e votës sërbët, me synim që popullin tonë t’a dëbojnë nga vatrat e tyre shekullore”, paralajmëroi drejtori i Zyrës për K&M.

Ai bëri të ditur se Beogradi, pavarësisht mungesës së vullnetit të mirë nga Prishtina, mbetet vazhdimisht i përkushtuar për dialog si e vetmja rrugë e arsyeshme për zgjidhjen e problemeve më të rënda në Kosovë dhe është i vendosur në kërkesat që Bashkësia e Komunave Sërbe të formohet.

Shton se Beogradi këtë e thekson dhe gjatë çdo raundi negociatash në Bruksel, duke pritur dhe prej Unionit Europian si garant i marrëveshjes së nënshkruar, të bindë Prishtinën në përmbushjen e detyrimeve të marra.

“Nga ana jonë, egziston vendosmëri e qartë për të vazhduar të orjentohemi në kërkimin e zgjidhjeve për kompromis, duke punuar me përkushtim për paqen dhe stabilitetin, madje dhe atëhere kur në Prishtinë për diçka të tillë nuk kemi bashkëbisedues. Do të vijojmë të insistojmë që në dialog të gjenden zgjidhje të qëndrueshme e të përhershme që do t’a stabilizonin rajonin në planin afatgjatë dhe popullit sërb në Kosovë e Metohi t’i garantohej siguri dhe respektim të të drejtave njerëzore, qytetare e politike”, nënvizoi Petkoviq.

Megjithatë, ky i fundit tha se pa Bashkësinë e Komunave Sërbe, nuk ka as bashkëjetesë, paqe të qëndrueshme apo stabilitet në territorin e Kosovës, pasi Prishtina në vend që të respektojë marrëveshjen, po përpiqet të bëjë lëvizje të njëanshme, eskaluese dhe ilegale për të cilat thotë, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duhet të jenë të vetëdijshëm.