Petkoviq: Deklaratat e Kurtit janë të pasakta, zgjidhja për Ligjin për të huajt nuk nënkupton integrimin e institucioneve serbe

Petar Petković i Anke Konrad
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, deklaroi se interpretimet e Albin Kurtit janë të pasakta, sipas të cilave zgjidhja evropiane për Ligjin për të huajt nënkupton integrimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në Kosovë, gjë që, siç thekson ai, është konfirmuar pa mëdyshje edhe nga ndërmjetësi në dialog, Peter Sorensen në Prishtinë, duke i bërë thirrje Kurtit të respektojë marrëveshjet e arritura.

“Ne e dimë shumë mirë se cila është politika e Kurtit dhe se qëllimi i tij është ndërhyrja në institucionet tona arsimore dhe shëndetësore, por me zgjidhjen evropiane të arritur një skenar i tillë është parandaluar dhe është bërë e qartë se ekziston detyrimi i Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e arritura, ndër të cilat më e rëndësishmja është formimi i Asociacionit të komunave erbe”, thuhet në deklaratën e Petkoviqit.

Ai theksoi se realiteti i demanton deklaratat e Kurtit dhe se Brukseli e njeh nevojën për funksionimin e papenguar të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb, si dhe të Universitetit serb në Kosovë.

“Askush nuk ka dilemë dhe nuk mashtrohet për atë se cili ishte qëllimi i Kurtit dhe çfarë do të kishte bërë më 15 mars, megjithatë të gjitha planet e dëmshme janë penguar, sepse funksionimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor serb është çështje e mbijetesës së popullit serb. Çfarëdo integrimi për të cilin flet Prishtina e vë drejtpërdrejt në pikëpyetje ekzistencën e këtyre institucioneve jetike në Kosovë dhe Metohi dhe do të kishte pasoja katastrofike për popullin tonë në këto hapësira, prandaj kjo është absolutisht e papranueshme”, theksoi Petkoviq.

Sipas tij, deklaratat e tilla të Kurtit janë pasojë e presionit me të cilin ai përballet në Prishtinë.

“Ajo që Kurti po thotë sot është pjesë e fushatës së tij politike dhe shërben për përdorim të brendshëm politik me qëllim ‘kontrollin e dëmit’, pasi është përballur me kritika nga i gjithë opinioni publik në Prishtinë”, shtoi Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më herët sot, lidhur me marrëveshjen për Ligjin për të huajt, se qeveria e tij nuk ka dashur t’i lërë pacientët serbë pa shërbime, as studentët serbë pa arsim, por se qëllimi është përfshirja e të gjitha strukturave brenda kornizës së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.