Petkoviq: Kamberi po përpiqet të realizojë atë që Bislimi nuk ia doli, keqpërdorimi i dialogut është i papranueshëm
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, deklaroi sot se deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, me draft-rezolutën që ka paraqitur në parlament mbi pozitën e shqiptarëve në “Luginën e Preshevës”, po përpiqet të realizojë atë që kryenegociatori i Prishtinës, Besnik Bislimi, nuk arriti në raundin e fundit të dialogut në Bruksel – që në mënyrë mashtruese të fusë në dialog atë që nuk mund të jenë tema e tij. Petkoviq theksoi se keqpërdorimi i dialogut është i papranueshëm.
“Shaip Kamberi, dukshëm me nxitjen e negociatorit të Prishtinës, po përpiqet të realizojë atë që Besnik Bislimi nuk ia doli ta bëjë gjatë raundit të fundit të dialogut në Bruksel, të fusë në mënyrë mashtruese në dialog tema që nuk janë dhe nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve, dhe këtë të dy e dinë shumë mirë. Ashtu siç ia kam theksuar atëherë Bislimit se çfarë është ekskluzivisht objekt i dialogut që zhvillohet mbi bazën e Rezolutës 1244 të OKB-së dhe Rezolutës 64/298, do ta përsëris edhe tani për Kamberin: keqpërdorimi i dialogut është i papranueshëm,” theksoi Petkoviq në një komunikatë.
Ai shtoi se Kamberi nuk e respekton Kushtetutën e Serbisë dhe tani del me propozime përfaruese rezolutash, duke treguar, sipas tij, jo vetëm mungesë dijeje, por edhe qëllim të keq.
Duke theksuar se Serbia njihet si një vend me bashkëpunim të shkëlqyer me pakicat kombëtare dhe është shembull për të gjithë në rajon, Petkoviq porositi se përpjekjet për ta keqpërdorur dialogun me Prishtinën dhe për ta instrumentalizuar politikisht nga politikanë të papërgjegjshëm në pjesën qendrore të Serbisë – nuk do të kalojnë.
Ai rikujtoi se dialogu zhvillohet për të qenë një faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, për të nxitur bashkëpunimin, për të mundësuar përparimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë dhe Metohi, e veçanërisht jetën e serbëve dhe jo-shqiptarëve të tjerë, jeta e përditshme e të cilëve është e padurueshme për shkak të veprimeve njëanshme dhe përshkallëzuese të Prishtinës.
“Përpjekjet për të shfrytëzuar dialogun me qëllim të cenimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet institucioneve të Serbisë dhe përfaqësuesve të pakicave kombëtare i përkasin ideve politike regresive që u mundën që në mesin e shekullit të kaluar – dhe kështu do të mbetet,” përfundoi Petkoviq.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka paraqitur Kuvendit të Serbisë një draft-rezolutë mbi pozitën e shqiptarëve në “Luginën e Preshevës”, në të cilën propozon që kjo çështje të përfshihet në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
0 komentet