Petkoviq me Ferrarin: Synimi i Prishtinës që përmes të ashtuquajturit ligj për të huajt t’i dëbojë serbët nga Kosova
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka zhvilluar sot një takim me ambasadoren e Francës në Serbi, Florence Ferrari, të cilën e ka informuar për rrjedhën e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe i ka përcjellë pritshmërinë e Beogradit që bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkretë dhe ta detyrojë Prishtinën të respektojë marrëveshjet e arritura deri më tani.
Petkoviq e ka njohur ambasadoren Ferrari edhe me, siç u shpreh ai, synimin e Prishtinës që “përmes të ashtuquajturit ligj për të huajt t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia dhe të godasë institucionet kyçe serbe në krahinë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për KeM.
Ai theksoi se institucionet arsimore dhe shëndetësore serbe në Kosovë janë shtylla e qëndrimit dhe mbijetesës së popullit serb dhe themeli për formimin e Asociacionit të komunave serbe, duke shtuar se Beogradi pret nga bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkretë dhe ta detyrojë Prishtinën të respektojë marrëveshjet e arritura deri më tani, në vend të veprimeve të njëanshme dhe kundërligjore.
“Populli serb në Kosovë dhe Metohi pothuajse 13 vjet pret formimin e Asociacionit të komunave serbe, për të cilin Prishtina është zotuar që me Marrëveshjen e Parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa garant i zbatimit të saj është edhe Bashkimi Evropian”, tha Petkoviq.
Ai theksoi gjithashtu se Prishtina pothuajse çdo ditë ndërmerr veprime eskaluese me të cilat synon të shkaktojë kriza dhe tensione në terren, zbaton dhunë të hapur fizike dhe institucionale dhe shkel të drejtat themelore politike dhe njerëzore të popullit serb dhe të përfaqësuesve të tij politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime.
“Për këtë dëshmon edhe përpjekja e Prishtinës për të anuluar gati 43.000 vota të popullit serb që Lista Serbe i fitoi në zgjedhjet e fundit”, shtoi Petkoviq.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj ambasadores Ferrari për qasjen konstruktive dhe të balancuar që Franca mban ndaj Serbisë, gjë që, sipas tij, është ndihmuar në masë të madhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore që kultivojnë presidenti Aleksandar Vuçiq dhe presidenti Emmanuel Macron.
komentet