Petkoviq me Holstein: Serbëve në Kosovë e Metohi, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, u mohohen të drejtat themelore të njeriut
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, e njohu sot në mënyrë të detajuar ambasadoren e re të Gjermanisë në Serbi, Anke Holstein, me veprimet përshkallëzuese dhe të kundërligjshme të Prishtinës, të cilat Albin Kurti i ndërmerr në dëm të popullit serb në Kosovë, dhe theksoi se serbëve, para syve të mbarë bashkësisë ndërkombëtare, u rrezikohen dhe u mohohen të drejtat themelore të njeriut.
Petkoviq vuri në dukje arrestimet gjithnjë e më të shpeshta, të pabazuara dhe të motivuara politikisht të serbëve, për çka, siç tha ai, dëshmon edhe ndalimi i djeshëm i nëntë serbëve nga Zubin Potoku, të cilët në orët e hershme të mëngjesit të së dielës u morën nga shtëpitë e tyre.
Ai rikujtoi gjithashtu rrënimin e kundërligjshëm të pronës serbe, dhunën brutale fizike, si ajo ndaj së cilës ishte ekspozuar Nenad Rashkoviq nga Zubin Potoku, si dhe forma të tjera presioni, përmes të cilave, paralajmëroi ai, regjimi në Prishtinë përpiqet t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre shekullore.
„Popullit tonë në Kosovë dhe Metohi, para syve të mbarë bashkësisë ndërkombëtare, i rrezikohen dhe i mohohen të drejtat themelore të njeriut, si asnjë populli tjetër në territorin e Evropës“, theksoi Petkoviq.
Ai i bëri të ditur bashkëbisedueses së tij edhe se dialogu që zhvillohet në Bruksel prej muajsh është në stagnim për shkak të refuzimit të Prishtinës për të marrë pjesë në të, si dhe se, në vend të bisedimeve, Kurti ndërmerr veprime të dhunshme dhe të njëanshme në terren, me të cilat minon të gjitha arritjet e marrëveshjeve të deritanishme.
Petkoviq deklaroi gjithashtu se Prishtina prej plot 13 vjetësh refuzon ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe, të cilin me nënshkrimin e saj e ka garantuar edhe vetë Bashkimi Evropian, si dhe se Beogradi pret që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj Prishtinës që të fillojë përmbushjen e obligimeve të marra përsipër.
0 komentet