Popoviq: Njoftimi për arrestimin e serbëve ka për qëllim frikësimin e popullit serb
Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Serbisë, Maja Popoviq, vlerësoi se njoftimi për arrestimin e liderëve serbë nga autoritetet e Prishtinës ka për qëllim frikësimin e popullit serb dhe shtoi se Serbia qëndron fuqishëm pranë popullit të saj në Kosovë.
Përfaqësuesit e autoriteteve të Kosovës vazhdojnë të provokojnë popullin serb në Kosovë e Metohi, duke u përpjekur t'i shpallin kriminelë liderët serbë të atjeshme, duke i futur në "listën e arrestimeve", tha Popoviq.
Ajo shtoi se njoftimi për arrestimin e liderëve serbë ka për qëllim që të tentojë të destabilizojë veriun e Kosovës dhe të frikësojë popullin serb, të cilit po i dërgohet një mesazh i turpshëm se nëse vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre nga Marrëveshja e Brukselit, edhe ata do të jenë objektivi i persekutimit.
“Është veçanërisht shqetësuese që terroristët e Prishtinës e quajnë Kishën Ortodokse Serbe dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë organizatat e djathta ekstremiste, të cilat janë të lidhura me Federatën Ruse”, shton ajo.
Ajo theksoi se është e papranueshme që presidenti Alleksandar Vuçiq, djali i tij Danillo, vëllai Andrej, si dhe ministri i Punëve të Brendshme Bratisllav Gashiq dhe drejtori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit Alleksandar Vullin të jenë në “listën e arrestimeve” vetëm sepse po luftojnë për interesat e popullit serb.
“Republika e Serbisë qëndron fuqishëm dhe vendosmërisht me popullin tonë në Kosovë dhe jam e sigurt se durimi dhe mençuria politike e Presidentit Vuçiq dhe e Qeverisë së Republikës së Serbisë do të ndikojë që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj politikës të Albin Kurtit dhe marionetat të tij politike. Pres që bashkësia ndërkombëtare të mbështesë dhe shpejtojë formimin e Komunitetit të Komunave Serbe duke ushtruar presion mbi autoritetet e Prishtinës”, thuhet në deklaratën e ministres Popoviq.
komentet