Raporti i FMN-së për Kosovën: Ngadalësim i ekonomisë, rritje e inflacionit dhe rreziqe nga pasiguria politike
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi sot raportin vjetor për Kosovën, në të cilin vlerësohet se rritja ekonomike është ngadalësuar, ndërsa inflacioni vazhdon të rritet, me rreziqe të vazhdueshme sidomos për shkak të pasigurisë politike.
Sipas FMN-së, pas një viti ngecjeje politike, aktiviteti ekonomik në Kosovë është ngadalësuar, ndërsa Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) real ka rënë në 3,6 për qind vitin e kaluar, nga 4,6 për qind në vitin 2024.
“Kjo është rezultat i rënies së eksporteve dhe dobësimit të kërkesës së sektorit privat, por është kompensuar pjesërisht nga rritja e shpenzimeve publike dhe investimeve”, thuhet në raport.
Shtohet se “me supozimin e përparimit në normalizimin e situatës politike, perspektivat parashikojnë një ngadalësim të moderuar”.
“Nën ndikimin e konflikteve në Lindjen e Mesme, pritet që rritja reale e PBB-së të ngadalësohet në 3,3 për qind këtë vit, por në afat të mesëm të afrohet me normën e saj potenciale prej rreth katër për qind”, thekson FMN.
Gjithashtu konstatohet se inflacioni në Kosovë ka vazhduar të rritet dhe ka arritur rreth 5,7 për qind në janar të këtij viti, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.
FMN pret që inflacioni të rritet në 5,9 për qind dhe më pas të bjerë gradualisht në dy për qind deri në vitin 2028.
Deficiti i llogarisë rrjedhëse të Kosovës, që tregon diferencën midis parave që hyjnë dhe dalin nga vendi, është rritur në 9,2 për qind të PBB-së, kryesisht për shkak të rritjes së importeve, veçanërisht të energjisë dhe ushqimeve.
“Deficiti tregtar do të mbetet i lartë për shkak të importeve të mëdha. Një nga arsyet për rritjen e deficitit në vitin 2026 pritet të jetë edhe mbyllja e përkohshme e termocentralit me qymyr për shkak të rinovimit”, thuhet në raport.
Si rreziqe në planin e jashtëm përmenden vazhdimi ose intensifikimi i konflikteve rajonale, tensionet globale tregtare dhe luhatjet e çmimeve të mallrave, të cilat mund të ndikojnë negativisht në kërkesë dhe punësim, ndërsa në planin e brendshëm mbeten rreziqet politike, përfshirë pasiguritë rreth zgjedhjes së presidentit të ri.
Nga ana pozitive, theksohet se zbatimi në kohë i Planit të Rritjes së BE-së mund të ofrojë një shtysë shtesë për rritjen dhe punësimin.
“Drejtorët ekzekutivë përshëndetën përkushtimin e Kosovës për zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe progresin e arritur në kuadër të programeve të fundit të mbështetura edhe nga FMN. Ata theksuan se, megjithëse perspektivat janë pozitive, Kosova është e ekspozuar ndaj rreziqeve negative, veçanërisht për shkak të pasigurisë politike, kushteve më të dobëta të jashtme dhe efekteve të konflikteve në Lindjen e Mesme. Prandaj, ata nënvizuan rëndësinë e përpjekjeve për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe avancimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për forcimin e rritjes dhe konkurrueshmërisë”, thuhet në raport.
Rekomandohet që Kosova të mos rrisë tepër shpenzimet buxhetore këtë vit, të ruajë stabilitetin makroekonomik, të rrisë investimet publike dhe të ardhurat buxhetore, si dhe të përmirësojë menaxhimin e financave publike, të forcojë mbikëqyrjen e sektorit bankar, të monitorojë kreditë dhe tregun e pasurive të paluajtshme, të zbatojë reforma strukturore për rritjen e konkurrueshmërisë, uljen e papunësisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, si dhe të reduktojë ekonominë informale dhe të përmirësojë sektorin energjetik.
Në raportin e FMN-së vlerësohet se ekonomia e Kosovës ka perspektiva pozitive, por përballet me rreziqe për shkak të situatës politike dhe zhvillimeve ndërkombëtare.
Për këtë arsye, theksohet se nevojiten reforma, kontroll i shpenzimeve dhe investime më të mençura, në mënyrë që ekonomia të mund të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të afrohet me standardet e BE-së.
0 komentet