Recaj: Anëtarësimi i Kosovës në KE do të kontribuojë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë

Besfort Recaj
Burim: Kosovo Online

Profesori në Katedrën për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës Besfort Recaj beson se vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që t’i japë Kosovës rekomandimin për anëtarësi në këtë organizëm ndërkombëtar, është lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj por njëkohësisht dhe për mbarë Europën pasi sikurse thotë, me anëtarësinë, Kosova do të kontribuojë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, promovimin e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

"Mendoj se ky është lajm shumë i mirë për Kosovën, për qytetarët tanë e njëkohësisht besoj se anëtarësia e Kosovës në Këshillin e Europës është lajm i shkëlqyer për mbarë Europën dhe mbarë njerëzimin pasi me anëtarësinë do të arrijmë bashkarisht të ruajmë më mirë dhe më shumë të drejtat njerëzore, të promovojmë lirinë, demokracisë, shtetit e të drejtës dhe kjo mund të kontribuojë vetëm për mbarë njerëzimin” ka thënë Recaj për Kosovo onlajn.

Sikurse shton, anëtarësia e Kosovës shikohet si proces i cili do të japë benefite të shumëfishta.

Ai shprehu shpresën se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Europës në maj dhe se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës do të japë vendim pozitiv final pasi beson se anëtarësia e Kosovës do të çelë rrugën e qasjes në organizmat ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, mbrojtjen e tyre, çelë portën për kompetencën e Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut.

Sikurse bën të ditur, në Gjykatën e Strazburgut mund të paraqiten raste të qytetarëve të Kosovës, pra që qytetarët të kërkojnë të drejtat e tyre në këtë gjykatë në rastin kur të drejtat e tyre cënohen apo shemben në Kosovë.

Duke folur rreth formulimit të raportit të Dora Bakojanit se Këshilli i Europës nuk merret me kufij, por me të drejtat njerëzore, Recaj thotë se raporti i Bakojanit ishte "i qartë në lidhje me këtë që Kosovën e konsideron shtet”.

"Vendimi për t’i hapur rrugën Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës, do të bëjë dallime të qarta mes periudhës para dhe pas anëtarësimit, pra pas anëtarësimit të Kosovës në KE, ajo do të konsiderohet shtet. Kjo është miratuar dje nga Asambleja Parlamentare dhe ka një perspektivë të qartë se Kosova pavarësisht se disa shtete anëtare nuk e njohin ende”, ka thënë Recaj.

Sikurse bën të ditur mund të priten dhe probleme, pra shtyrje të anëtarësimit më 16 maj, ndërsa arsyeja për të cilën diçka e tillë pritet, është eksperienca në të cilën Kosova ka patur me liberalizimin e vizave.

"Dimë që Komisioni Europian para shumë vitesh rekomandoi dhe erdhi në konkluzion se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për të përfituar liberalizimin e vizave dhe rekomandoi që në Kosovë të vendoset regjimi pa viza, si dhe Parlamenti Europian, por patëm problem me Këshillin e Europës si pasojë e disa çështjeve politike të cilat vendosën vende të ndryshme anëtare të BE dhe kjo është arsyeja përse pres që të ketë probleme të mundshme dhe me anëtarësimin në Këshillin e Europës, por jam optimist dhe shpresoj se kjo nuk do të ndodhë", ka thënë Recaj.