Savkoviq: Nuk e shoh se si Kurti mund ta rikthejë besimin e Grenellit

Marko Savković
Burim: Kosovo Online

Këshilltari i lartë i fondit ISAK, Marko Savkoviq, tha për Kosovo online se duket se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tentuar t’i afrohet administratës së Donald Trampit me deklaratat e saj, por që në këtë moment nuk e sheh se si Albin Kurti mund të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-të dhe se problemi i parë do të jetë si ta rikthejë besimin e Riçard Grenellit.

"Osmani gjithsesi ka reputacionin e një figure të orientuar pro-amerikane, pasi ka qenë pjesë e LDK-së, një parti që gjithmonë është parë si më e afërta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Kurtin nuk shoh ndonjë mënyrë se si mund ta rikthejë besimin e zotit Grenell, të cilit i është besuar roli i ‘ndërmjetësit fluturues’ për rajone të ndryshme krizash, përfshirë edhe Kosovën. Këtu ka një mungesë besimi dhe një marrëdhënie të keqe, e cila, në fund të fundit, disa vite më parë rezultoi me rënien e qeverisë së parë të Kurtit," tha Savkoviq.

Ai thekson se në politikën e jashtme, marrëdhëniet personale mes liderëve janë shumë të rëndësishme, qoftë armiqësi apo simpati, por se kjo nuk është gjithmonë vendimtare sepse ka një marrëdhënie më të gjerë dhe interesa më të gjera.

"Kjo marrëdhënie mund të ngjyros politikën dhe të zgjerojë interesat dhe të ndikojë në vlerësimin nëse, në një plejadë të caktuar me njerëz të caktuar në pushtet, disa interesa mund ose nuk mund të zbatohen. Do të shohim se kush do të marrë postin shumë të rëndësishëm të Zëvendës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane të SHBA-ve dhe ndihmësit të tij që do të jetë konkretisht në krye të këtij rajoni dhe çfarë marrëdhëniesh do të kenë me Grenellin. Duke gjykuar nga profilet e njerëzve që zgjedh Tramp, ata kanë shumë më tepër të përbashkëta me Grenellin sesa me O'Brajan ose disa nga ndërmjetësuesit e mëparshëm”, thotë Savkoviq.

Megjithatë, ai vë në dukje se Kurti ka mundësi të gjejë edhe “sponsor të tjerë” për “politikën e tij të pavarur” në disa vende evropiane si Gjermania dhe Britania e Madhe apo Turqia, me të cilat ka plane për të blerë armë dhe pajisje ushtarake.