Shahini: SHBA-të nuk janë marrë me Kosovën për shkak të qeverisë së Kosovës
Presidenti i Aleancës së Biznesit të Kosovës, Agim Shahini, me rastin e vizitës së Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof, në Kosovë, tha se pret që SHBA-të të merren me çështje në drejtim të dialogut, zhvillimit ekonomik, integrimit të Kosovës dhe njohjeve të reja.
“Pres që viti i ardhshëm do të jetë viti i fundit në të cilin Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë një hap të madh, pres një qeveri të re të Kosovës dhe një president të ri të SHBA-ve që do të përfundojë negociatat e reja me Kosovën dhe Serbinë, që do të çojë në përfundimin e dialogut në të gjitha drejtimet që janë nënshkruar më parë në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi Shahini.
Ai ka theksuar se për shkak të qeverisë aktuale të Kosovës, SHBA-të nuk janë marrë me Kosovën.
“Pres që edhe SHBA-të do të kenë të njëjtin trend të dialogut, po ashtu pritet të inicojë çështje të ndryshme që do të jenë në drejtim të dialogut, zhvillimit të ekonomisë, integrimit të Kosovës, dhe se Kosova po shkon drejt një trendi të ri të njohjeve nga shtetet tjera, sepse ka katër vite që nuk ka njohje të reja, nuk kemi anëtarësim në asnjë mekanizëm ndërkombëtar, dhe e gjithë kjo për shkak të qeverisë së Kosovës dhe shtetit amerikan, i cili nuk u mor me Kosovën, sepse bashkësia ndërkombëtare beson se kjo qeveri nuk është e mirë për dialog dhe se nuk respekton atë që premton dhe për këtë kemi sanksione për herë të parë”, tha Shahini.
komentet