Shljuka: Tendenca për të anashkaluar mekanizmat mbrojtës të komunitetit serb të përcaktuara me Kushtetutë

Šljuka
Burim: Kosovo Online

Bashkëpunëtori i OJQ-së “Iniciativa e Re Sociale” Aleksandar Shljuka thotë për Kosovo online se në Kosovë ekzistojnë mekanizma që u mundësojnë komuniteteve pakicë, përfshirë atë serb, të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të mos mbivotohen në parlament nga komuniteti shumicë, si p.sh. dy të tretat e shumicës, e cila kërkohet në rastin e ligjeve me interes jetik, por vëren se në periudhën e mëparshme ka pasur përpjekje për të anashkaluar disa mekanizma mbrojtës.

Kjo tendencë, siç vlerëson ai, mund të ekzistojë edhe në periudhën e ardhshme.

“Nuk mund të pretendoj, por mendoj se do të ketë një përpjekje për të siguruar një numër të mjaftueshëm të njerëzve që përfaqësojnë komunitetin serb, të cilët do të ishin dashamirës ndaj shumicës në pushtet dhe përmes të cilëve mund të ndryshohen ligjet me interes jetik, dhe rrjedhimisht ndoshta edhe Kushtetuta e cila do të çonte në heqjen e të drejtave që i garantohen komunitetit serb dhe që pengojnë tiraninë e shumicës, gjegjësisht mazhorancës që t'i imponojë të gjitha vendimet pakicës”, thotë Shljuka.

Ai shpjegon se për ndryshimin e Kushtetutës, si dhe ligjeve me interes jetik që kanë të bëjnë me gjithçka që është thelbësore për komunitetet joshumicë, nevojitet shumicë e dyfishtë në Kuvend - si nga numri i përgjithshëm i deputetëve ashtu edhe nga radhët e komunitetet joshumicë.

“Ka diçka të tillë në kushtetutat e vendeve ku zbatohet një lloj demokracie konsociative, pra një rregullim institucional që u mundëson komuniteteve të ndishme, të cilat janë pakicë, të mbrojnë të drejtat e tyre. Në Kosovë i referohet ligjeve që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve komunalë, ligjeve në kontekstin e arsimit, trashëgimisë kulturore, religjionit, simboleve kombëtare, gjegjësisht ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve joshumicë që më parë nuk ishin të përcaktuara me Kushtetutë, thekson Shljuka.


Ai përmend emërimin e Nenad Rashiqit për ministër si shembull të anashkalimit të mekanizmave mbrojtës të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.

“Si dikush që nuk ka qenë deputet është dashur të konfirmohet në parlament nga anëtarët e komunitetit joshumicë, gjë që nuk është bërë në atë kohë sepse kur përfaqësuesit e Listës Serbe u larguan nga institucionet u hap një vakum politik i cili i mundësoi kryeministrit Albin Kurti që ta emërojë z. Rashiq në një mënyrë që nuk është në përputhje me Kushtetutën”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Duke pasur parasysh se përveç të drejtës për dhjetë mandate të garantuara, komuniteti serb në Kuvendin e Kosovës ka të drejtë edhe në postin e nënkryetarit, Shljuka thotë se ky funksion është më shumë konsultativ.

“Në Kuvendin e Kosovës janë pesë nënkryetarë. Tre janë zakonisht nga komuniteti shumicë, sepse duhet të vijnë nga tri grupet më të mëdha parlamentare, një nënkryetar është nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë. Nënkryetari nuk ka ndikim vendimtar si individ sepse ka një Kryesi të Kuvendit në të cilën janë kryetari i parlamentit dhe pesë nënkryetarë, pra janë gjashtë. Rendi i ditës i seancave parlamentare duhet të miratohet me konsensus, por nëse mungon, për shembull, nënkryetari nga komuniteti serb rebelohet, rendi i ditës hidhet në votim në seancë plenare dhe nëse votohet atje, nuk ka asnjë mënyrë për ta bllokuar atë," shpjegon Shljuka.

Vendimet tjera të Kryesisë së Kuvendit, të rëndësishme për punën e saj, shton ai, merren me shumicë votash, që do të thotë se mjaftojnë katër vota dhe e drejta e vetos nuk ekziston.