Simiq: Gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe, ata që kanë djegur automjetet ndërkombëtare sot janë në qeverinë e Kosovës
Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi sot në Prishtinë se do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve kosovare për bisedime, megjithëse nuk e konsideron këtë proces të drejtë.
Ai theksoi se ata gjithmonë kanë bërë thirrje për paqe dhe asnjëherë nuk kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, ndërsa disa nga ata që më parë kanë organizuar protesta të dhunshme në Prishtinë dhe kanë djegur automjete ndërkombëtare, sot janë pjesë e qeverisë së Kosovës.
“Fakti është që ne gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe dhe do t’i përgjigjemi ftesës, jo sepse besojmë se ky është një proces i drejtë, por sepse e dimë që gjithmonë kemi qenë për paqe dhe nuk kemi bërë asgjë të paligjshme. Ndërsa ata që kanë organizuar protesta të dhunshme në Prishtinë dhe kanë djegur automjete ndërkombëtare, sot ndodhen në qeveri,” deklaroi ai.
Dje, pas takimit me delegacionin e Quint-it, Simiq konfirmoi se ai, Zllatan Ellek dhe Sllavko Simiq, së bashku me më shumë se 40 serbë, janë ftuar për t’u marrë në pyetje si të akuzuar për pjesëmarrje në protestat paqësore në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022, nën akuzën për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale. Simiq e vlerësoi këtë si një presion politik ndaj Listës Serbe dhe një përpjekje për të frikësuar popullin serb, duke theksuar se bëhet fjalë për represion nga regjimi i Albin Kurtit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale që po afrohen.
0 komentet