Simiq: Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës ta sanojnë pa diskriminim rrugën Jarinje–Mitrovicë
Deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, sot në seancën e parlamentit theksoi dëmtimet katastrofale në rrugën magjistrale Jarinjë–Mitrovicë, si dhe në një pjesë të rrugës rajonale Dren–Bellobërdë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës që këto segmente në veri t’i sanojnë në mënyrë të plotë dhe pa diskriminim, duke garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
“Deshëm t’i tërheqim vëmendjen ministrit të Infrastrukturës për dëmtimet katastrofale në rrugën magjistrale Jarinjë–Leposaviq–Mitrovicë, e cila ishte në gjendje të mirë deri para tre vitesh, sepse mirëmbajej dhe riparohej me kohë. Por, që kur Ministria e Infrastrukturës mori përgjegjësinë për këtë drejtim rrugor, përmes një kompanie për të cilën nuk dimë se kush është, rruga është në gjendje shumë të keqe, sidomos këtë dhe vitin e kaluar, pasi infrastruktura rrugore po shkatërrohet plotësisht”, tha Simiq.
Duke ilustruar gjendjen e keqe të rrugës, ai tha se është i bindur se në një pjesë të Evropës ku institucionet funksionojnë si duhet, një rrugë e tillë do të ishte nxjerrë jashtë përdorimit derisa të sanitohej plotësisht.
Ai shtoi se Lista Serbe kishte dashur të fliste për këtë çështje edhe vitin e kaluar, por për shkak të bllokimit të institucioneve dhe më pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk patën mundësi të trajtonin këtë temë urgjente.
“Më vjen keq që ministri i Infrastrukturës nuk është këtu, por është kryeministri Kurti dhe shpresoj se do ta dëgjojë këtë problem, sepse bëhet fjalë për përgjegjësinë e Ministrisë dhe të gjithë Qeverisë”, theksoi Simiq.
Ai sqaroi se bëhet fjalë për një segment rrugor prej 52 kilometrash, ku janë të dukshme dëmtimet në asfalt dhe mungon sinjalizimi, duke theksuar se ka gropa me diametër deri në 70 centimetra dhe thellësi deri në 50 centimetra.
“I kemi të gjitha të dokumentuara dhe do t’ia dërgojmë Ministrisë dhe kryeministrit Kurti, të cilët mbajnë përgjegjësi për gjendjen e rrugës. Me këto dëmtime rrezikohet siguria e trafikut rrugor dhe transportues”, paralajmëroi ai.
Ai theksoi se kjo rrugë është shumë e frekuentuar dhe i bëri thirrje Ministrisë dhe Qeverisë që të mos kenë qasje diskriminuese për shkak se kalon nëpër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi përdoret nga serbë, shqiptarë, goranë dhe të gjithë banorët e zonës.
Sipas të dhënave jozyrtare që ai përmendi, brenda 24 orëve në këtë segment ndodhin dhjetëra dëmtime në automjete për shkak të mungesës së sinjalizimit dhe infrastrukturës së dobët, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi për këto dëme. Vozitja është veçanërisht e rrezikshme natën dhe në kushte të dukshmërisë së reduktuar.
“I bëjmë thirrje Ministrisë dhe Qeverisë që sa më parë të angazhojnë kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e kësaj rruge, por jo si këto ditë kur kanë punuar me mekanizëm të papërshtatshëm dhe asfalt cilësie të dobët, duke shkaktuar edhe më shumë dëme. Duhet të veprohet sipas standardeve profesionale dhe të bëhet sanim i qëndrueshëm”, apeloi Simiq.
Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen edhe për gjendjen e rëndë të një pjese të rrugës rajonale Dren–Bellobërdë në territorin e komunës së Leposaviqit.
“Kjo rrugë praktikisht nuk ekziston, sepse një rrugë makadami në ndonjë fshat është në gjendje më të mirë se kjo, e cila çon drejt minierës dhe ka rëndësi jetike ekonomike. Merrni përgjegjësi dhe sanoni këto rrugë që të jenë të sigurta për të gjithë”, përfundoi Simiq.
Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot propozimin e Listës Serbe për emërimin e deputetit Branisllav Nikoliq në komisionet parlamentare, në vend të kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili u tërhoq nga funksioni i deputetit. Ky propozim u miratua me 62 vota.
Kuvendi i Kosovës miratoi gjithashtu me 74 vota buxhetin e Komunës së Zubin Potokut për vitin 2026.
0 komentet