Simiq: Rrënimi i garazheve ndërhyrja më e drejtpërdrejtë në kompetencat e Komunës së Mitrovicës së Veriut, në shënjestër edhe bizneset serbe
Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Sllavko Simiq, në emër të këtij grupi parlamentar, u bëri thirrje sot përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë ndaj, siç theksoi ai, rrënimit të paligjshëm të garazheve dhe objekteve ndihmëse të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, duke vlerësuar se kjo përbën ndërhyrjen më të drejtpërdrejtë në kompetencat dhe përgjegjësitë e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ai theksoi gjithashtu se grupi parlamentar i Listës Serbe i jep mbështetje Komunës së Mitrovicës së Veriut për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore me qëllim mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe pronës së qytetarëve, si dhe të kompetencave të saj.
“Si grup parlamentar i Listës Serbe dëshirojmë t’i tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare, vendeve të Kuintit dhe misioneve e organizatave të huaja këtu në Kosovë për incidentin që ndodhi të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut, ku shërbimet policore të Kosovës, me urdhër të kompanisë ‘Trepça Jug’, me buldozer, pa pëlqimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe pa asnjë vendim ligjor, rrënuan garazhe dhe objekte ndihmëse në pronësi të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut”, tha Simiq në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ai theksoi se ky akt përbën ndërhyrjen më të drejtpërdrejtë në kompetencat e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe se në këtë rast është e qartë se dikush dëshiron të dekurajojë dhe të privojë nga të drejtat udhëheqjen legjitime të zgjedhur së fundmi në këtë komunë.
“Si grup parlamentar i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj këtij rasti, sepse ajo që ndodhi në Mitrovicë të mërkurën mund të ndodhë sot në ndonjë komunë tjetër dhe mendoj se kjo nuk është e mirë për shoqërinë tonë. Si grup parlamentar i Listës Serbe, gjithashtu i japim mbështetje Komunës së Mitrovicës së Veriut që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur të drejtat, interesat dhe pronën e qytetarëve dhe për të mbrojtur integritetin e kompetencave të saj”, tha Simiq.
Simiq theksoi gjithashtu se grupi parlamentar i Listës Serbe dëshiron t’i tërheqë vëmendjen Qeverisë së Kosovës dhe ministrave përkatës se shërbimet inspektuese në Kosovë në periudhën e fundit kanë intensifikuar presionin dhe kontrollet e tepruara ndaj bizneseve serbe në veri, si dhe ndaj objekteve hoteliere dhe sipërmarrësve, duke vlerësuar se këto shërbime inspektuese, që veprojnë nga niveli qendror dhe rajonal, në mënyrën më të drejtpërdrejtë po rrezikojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të komunave dhe po dëmtojnë bizneset që, siç theksoi ai, luftojnë për të mbijetuar në kushte të vështira politike dhe të sigurisë në veri.
Sipas fjalëve të Simiqit, gjatë muajve të fundit, inspektorati i tregut, tatimor dhe sanitar, me asistencën e policisë, në mënyrë spektakolare, siç është paraqitur në publik, kanë mbyllur përkohësisht dhe kanë gjobitur dhjetëra objekte hoteliere dhe biznese.
“Dua të dini se këto biznese përballen me vështirësi serioze në vitet e fundit, se atyre u nevojitet ndihmë dhe mbështetje, se duan të japin kontributin e tyre, të përmirësojnë standardet dhe të përshtaten me kërkesat e shërbimeve inspektuese, por për këtë u duhet mbështetje, që përmes një procesi edukativ t’u mundësojmë të përmbushin të gjitha kërkesat ligjore, e jo që menjëherë të ndëshkohen dhe të mbyllen”, tha Simiq.
Deputeti i Listës Serbe theksoi se as ai dhe as ndonjë biznes në veri nuk janë kundër mbikëqyrjes inspektuese dhe se askush nuk dëshiron të ndërhyjë në punën e inspektorateve, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përfshihet në proces dhe t’u mundësojë shërbimeve inspektuese lokale të marrin pjesë në kontroll, si dhe komunave t’u japë mundësi të mbështesin bizneset që të përmbushin të gjitha kërkesat dhe rregulloret.
“Si grup parlamentar, për shkak të gjithë kësaj situate, i bëjmë thirrje qeverisë dhe ministrave përkatës, të cilët për fat të keq nuk janë sot këtu, që të udhëzojnë shërbimet e tyre inspektuese të ulin presionin e vazhdueshëm ndaj bizneseve serbe në veri, të cilat tashmë janë në sistem dhe i plotësojnë kushtet bazë për punë, ashtu siç i plotësojnë edhe bizneset në jug që përballen me shumë më pak presion dhe kontroll. Nëse kjo vazhdon si në muajt e fundit, qytetarët në veri do ta kuptojnë këtë si një strategji serioze për të mbyllur çdo biznes serb, për të mbyllur çdo objekt hotelier serb dhe për të dëbuar çdo sipërmarrës serb nga veriu i Kosovës, duke rrezikuar kështu ekzistencën e qindra familjeve që duan të jetojnë në qytetin e tyre dhe nga puna e tyre”, tha Simiq.
0 komentet