Sorensen: Normalizimi i marrëdhënieve nuk është proces linear, por po bëjmë përparim
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk është një rezultat i njëhershëm që arrihet pas një takimi, por një proces i vazhdueshëm që zhvillohet çdo ditë për të përmirësuar jetën e njerëzve”, deklaroi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, duke shtuar se një pjesë e madhe e këtij procesi ndodh “pas skenës”, por se përparim i vërtetë po arrihet “çdo ditë”. Ai përshëndeti mbajtjen e zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse, duke theksuar rëndësinë që, sapo të konfirmohen rezultatet, të ketë “një tranzicion të rregullt të pushtetit lokal”.
Në një intervistë për agjencinë italiane “Nova", Sorensen tha se që nga marrja e detyrës si i dërguar i BE-së për dialog, ka zhvilluar mbi 60 takime zyrtare në rajon dhe ka pritur dy raunde takimesh të kryenegociatorëve në Bruksel, ku është diskutuar për çështje konkrete – nga bashkëpunimi ekonomik deri te kërkimi dhe identifikimi i personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2000.
“Procesi nuk është gjithmonë linear dhe një pjesë e madhe ndodh pas skenës, por përparim i vërtetë po arrihet çdo ditë. Çdo ditë, njerëzit, automjetet dhe mallrat lëvizin lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vetëm këtë verë, më shumë se 1.7 milionë persona dhe rreth 650 mijë automjete kanë kaluar pikat kufitare të përbashkëta. Makina me targa të Kosovës tani mund të hyjnë në Serbi. Njerëzit po paguajnë për energjinë që konsumojnë në përputhje me kushtet e dakorduara. Kjo është dëshmi e prekshme se dialogu po funksionon”, beson Sorensen.
Sa i përket Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të të cilit një nga kushtet për qasje në fonde është zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu, Sorensen theksoi se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet platforma për normalizimin e marrëdhënieve, dhe se për Kosovën dhe Serbinë rruga drejt integrimit në BE varet nga ky proces.
Ai kujtoi se përmes dialogut, Beogradi dhe Prishtina kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta dhe kanë arritur mbi 90 marrëveshje që përfshijnë dispozita për çështje praktike të përditshme.
“Këto janë rezultate që vite të tëra të pranisë ndërkombëtare, përfshirë edhe numrin e madh të forcave paqeruajtëse, nuk kanë mundur t’i arrijnë vetë. Zgjerimi mbetet prioritet kyç i BE-së. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një hap i rëndësishëm drejt afërsimit të rajonit me BE-në dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal. Plani tregon përkushtimin tonë ndaj së ardhmes së rajonit, duke vendosur pritshmëri të qarta. Për Serbinë dhe Kosovën, kjo nënkupton angazhim konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha i dërguari i BE-së.
Duke folur për zgjedhjet e fundit lokale, veçanërisht për faktin që, pas bojkotit të zgjedhjeve nga komuniteti serb në veri, Lista Serbe fitoi në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe, Sorensen tha se përshëndet zhvillimin paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës të raundit të parë të zgjedhjeve lokale.
“Të gjitha komunitetet morën pjesë, dhe raportimi mediatik ishte i lirë dhe i drejtë, duke kontribuar në një proces transparent. Pjesëmarrja në komunat me shumicë serbe ishte mesatarisht mbi 50 për qind, gjë që është një shenjë shumë pozitive,” thekson Sorensen.
Të gjithë, siç thotë, kanë pasur mundësinë të ecin përpara pas bojkotit të prillit 2023.
“Serbët e Kosovës morën pjesë, dhe në nëntë komunat me shumicë serbe në Kosovë, partitë serbe fituan si postet e kryetarëve të komunave ashtu edhe shumicën në kuvendet komunale. Tani kemi përfaqësues të zgjedhur. Ky është një hap i rëndësishëm përpara, që tregon se ata janë pjesë përbërëse e shoqërisë kosovare. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme tani është që, sapo të konfirmohen rezultatet, të ketë një tranzicion të rregullt të administratës lokale. Këto zgjedhje paqësore dhe kthimi i kryekomunarëve serbë në Kosovë gjithashtu hapin rrugën për një diskutim më të gjerë mbi reintegrimin e serbëve të Kosovës që u larguan nga institucionet kosovare në vitin 2022,” tha Sorensen.
Në lidhje me marrëdhëniet midis liderëve, të cilat, siç thuhet, “kanë qenë të tensionuara edhe gjatë paraqitjes së fundit të përbashkët të presidenteve të Kosovës, Vjosa Osmani, dhe të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Samitin e procesit Bërdo–Brioni në Durrës më 6 tetor”, Sorensen tha se Bashkimi Evropian pret nga të gjithë liderët e rajonit që të tregojnë angazhim konstruktiv.
“Dialogu është pikërisht hapësira ku Kosova dhe Serbia mund të trajtojnë në mënyrë paqësore dhe konstruktive mospajtimet e tyre. Ne inkurajojmë si Kosovën ashtu edhe Serbinë të përmbahen nga shkëmbimet publike, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht këtë platformë dhe të fokusohen në zbatimin e detyrimeve të tyre të dakorduara në dialog,” ka përfunduar Sorensen.
0 komentet