Spahiu: Pjesëmarrja e Kurtit në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut është në favor të Serbisë

Nedžmedin Spahiu
Burim: Kosovo Online

Pjesëmarrja e Albin Kurtit në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut pati një ndikim negativ në Kosovë dhe ishte në favor të politikës së Serbisë, thotë për Kosovo online Nexhmedin Spahiu, profesor universiteti nga Prishtina.

“Ajo që bëri Kurti në Maqedoni ishte në favor të politikës së Serbisë, e cila ishte shumë e zgjuar dhe kundër politikës së Bullgarisë, e cila ishte katastrofike kur ishte fjala për ndikimin në Maqedoni. Në gjithë këtë lojë rreth Maqedonisë, Serbia është fituese dhe fituesja më e madhe. Gjithçka që bënë Kurti dhe Edi Rama në Maqedoni shkoi në favor të Serbisë”, tha Spahiu.

Ai thekson se partitë që mbështesin Vetëvendosjen e Albin Kurtit kanë pasur disa fitime në zgjedhje, por nga ana tjetër ndikimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë shumë më i vogël pas zgjedhjeve.

“Duke pasur parasysh se atje po fitojnë partitë që janë më shumë pro-serbe sesa pro-bullgare, kjo do të thotë se megjithatë asgjë nuk është fituar dhe se ndikimi i shqiptarëve në Maqedoni do të jetë shumë më i vogël se sa është tani”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Ai vlerëson se politika e jashtme e Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës dhe Serbisë do të ndryshojë dhe atë në anën e Serbisë.

“Shpresoj se do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përndryshe mund të pritet që politika maqedonase tash më shumë të jetë në anën e Serbisë sesa në anën e Kosovës”, tha Spahiu.