Stano: Të mërkurën takim mes kryenegociatorëve të Beogradit e Prishtinës në Bruksel
Takimi i radhës në nivelin e kryenegociatorëve të Beogradit dhe Prishtinës do të mbahet në Bruksel të mërkurën, ka thënë zëdhënësi i BE Peter Stano dhe shtoi se pret që të dy palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis për çështjen e dinarit. Ai theksoi se shpreson që ky të jetë takimi i fundit rreth kësaj teme.
Ai theksoi që në takim të kërkohet zgjidhje të përkohshme për njerëzit që janë goditur prej rregullores së BQK.
"BE pret që në takimin e të mërkurës të dy palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri që të shkohet drejt kompromisit", ka thënë ai.
Stano thotë se vendi më i mirë për bisedime mes Kosovës e Sërbisë rreth çështjes së përdorimit të dinarit është pikërisht nën mbulesën e BE duke thënë se kjo e fundit është aty për të ndihmuar që të gjendet zgjidhje për njerëzit që janë goditur nga rregullorja e BQK.
"Presim që të dy palët të vijnë në takimin e shtatë dhe të diskutojnë rreth kësaj çështjeje dhe të jenë të gatshëm për të gjetur zgjidhje që do t'u përshtatet të dyve, por në radhë të parë për t'iu përgjigjur nevojave të njerëzve që janë të prekur në terren”, tha Stano.
Ky i fundit shtoi se shpreson që ky të jetë takimi final për këtë temë, pasi sikurse sqaron, këto tema e largojnë vëmendjen nga ajo që është realisht e nevojshme.
"Ajo që realisht nevojitet është progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit rreth aneksit të zbatimit. Shpresojmë që palët të mund të sillen në frymën europiane dhe të arrijnë kompromis të nevojshëm. Por edhe një herë, sikurse çdo gjë tjetër në dialog, kjo me të vërtetë nuk varet nga ajo që ne dëshirojmë, kjo varet nga gatishmëria dhe aftësia e të dy palëve të arrijnë kompromis të pranueshëm”, tha zëdhënësi i BE.
Sipas fjalëve të tij, pas gjithë këtyre takimeve, BE pret që të dy palët të sillen në mënyrë europiane.
'Kush është e çfarë tha, kush është e çfarë bëri, kush është e çfarë refuzoi' këto nuk janë mënyra me të cilat ne udhëheqim negociatat. Këto janë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Këta të fundit nuk janë niveli më i lartë politik, këta nuk organizojnë ngjarje mediatike. Ata tentojnë të gjejnë zgjidhje në biseda konfidenciale, çka është gjithashtu dhe mënyrë europiane që të progresojnë procese diplomatike në nivel teknik-nivel të kryenegociatorëve, në mënyrë diplomatike, në mënyrë europiane. Jo përmes mediave, jo përmes akuzave publike, drejtimit të gishtit tek tjetri", sqaroi Stano.
Sikurse theksoi ky i fundit, BE vijon të ndihmojë të dy palët të arrijnë kompromis të nevojshëm.
"Njerëzit janë goditur nga probleme të këtilla. Të shpenzosh energji në zgjidhjen e këtyre pesë, gjashtë, shtatë apo tetë takimeve, nuk mundemi të merremi me probleme të tjera të cilat madje janë edhe më urgjente, ndërsa ky është zbatimi i marrëveshjes tek dialogu. Nuk është puna jonë të komentojmë çdo lëvizje apo vërrejtje në negociata, ne vetëm sa i inkurajojmë të dy palët të tregojnë gatishmëri të nevojshme që të sillen në mënyrë europiane dhe më në fund të mund të dakordësohen rreth zgjidhjes së kompromisit pasi në fund këtë do t’a përdorin njerëzit që janë goditur nga ky vendim” ka thënë Stano.
komentet