Staroviq: Njihet se se Kosova po e pengon dialogun
Ministri për Integrime Evropiane i Serbisë, Nemanja Staroviq, theksoi se është e qartë për të gjithë se Beogradi nuk mund të fajësohet për ngecjen në dialog, dhe se gjithnjë e më shumë po njihet fakti që pala e Prishtinës është ajo që po e pengon dialogun dhe që nuk është e gatshme për asnjë kompromis.
Në një intervistë për TV Tanjug, i pyetur për nenin 7 të marrëveshjes së Ohrit, që kërkon që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre, dhe për pyetjen se çfarë nuk ka përmbushur Serbia, Staroviq tha se është e pamundur të pritet që Serbia të tregojë një nivel më të lartë të proaktivitetit, sesa që ka treguar deri tani, kur në anën tjetër është e dukshme një prapakthim serioz.
“Nëse e krahasojmë situatën e serbëve në Kosovë më herët dhe sot, shihet qartë se ka një përkeqësim serioz. Njihet në këtë proces që ne kemi qenë shumë konstruktivë. Ne jemi të përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe nuk jemi larguar asnjëherë nga tavolina e negociatave. Do të vazhdojmë të jemi konstruktivë duke mbrojtur interesat e Serbisë dhe të qytetarëve tanë në Kosovë dhe Metohi,” theksoi Staroviq.
Ai vuri në dukje se situata e veçantë e Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE pasqyrohet në mekanizmin shtesë pezullues të Kapitullit 35.
Staroviq theksoi se ekzistojnë pritje të caktuara nga shtetet anëtare të BE-së që e njohin Kosovën, por se në Kapitullin 35 nuk është përcaktuar detyrimi për njohje.
“Sikur kjo të ishte përcaktuar, është e qartë që ne nuk do të ishim në rrugën evropiane,” tha ministri, duke shtuar se ekziston një “dykuptim konstruktiv.”
Ai theksoi se Kapitulli 35 parasheh arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjore për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.
“Të gjithëve u është e qartë se Beogradi nuk mund të fajësohet për ngecjen e dialogut. Administrata e Prishtinës është nën masa kufizuese nga administrata amerikane. Por kjo nuk po krijon efekte politike, sepse Albin Kurti mendon se ka më shumë përfitime nga fushata negative kundër serbëve sesa që humbet nga raportet me SHBA-të,” vuri në dukje Staroviq.
Ai tha se Kosova, duke dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës në pranverën e vitit 2022, e ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit.
“Ajo përpjekje u ndal me sukses, jo vetëm me mbështetjen e vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, por edhe të vendeve të tjera, si Franca, që nuk ishin të gatshme ta pranonin,” shtoi ai.
“Është pranuar se pala e Prishtinës nuk është e gatshme për asnjë kompromis dhe se ajo po e pengon dialogun. Është pranuar gjithashtu se serbët morën pjesë masivisht në zgjedhjet lokale. Pjesëmarrja më e lartë u regjistrua në katër komunat në veri, dhe është njohur roli që ka pasur Qeveria e Serbisë në inkurajimin e tyre. Ne kemi bërë një hap të rëndësishëm dhe shpresojmë që ai të vlerësohet,” shpjegoi Staroviq.
Ai tha se nuk është sekret pritja e 22 vendeve anëtare të BE-së që e njohin Kosovën, por theksoi se askund nuk është vendosur një kusht ultimativ për njohje.
“Sikur të ishte, të gjithë e dinë se një ultimatum i tillë do të nënkuptonte ndërprerjen e integrimit tonë në BE. Edhe presidenti i Serbisë ka thënë së fundmi se nëse Serbia nesër do ta njihte Kosovën dhe do të vendoste sanksione ndaj Rusisë, do të ishte kampione e integrimeve evropiane. Nuk ka asnjë njohje de jure apo de facto. Normalizimi, po. Ai është në interes të Serbisë kur flasim për stabilitetin dhe parashikueshmërinë, sidomos për ekonominë,” theksoi Staroviq.
Ai theksoi se interesi kombëtar i Serbisë është anëtarësimi në BE dhe se vendi ka përfituar ndjeshëm nga fakti që ndodhet në rrugën evropiane.
“Asgjë nga ajo që kemi arritur në 12 apo 13 vitet e fundit, sa i përket zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, nuk do të ishte e mundur po të mos ishim në rrugën drejt anëtarësimit në BE, sepse në këtë mënyrë projektojmë një imazh të stabilitetit, sigurisë dhe të gjithçkaje tjetër,” shpjegoi Staroviq.
Ai tha se mbetet për t’u parë nëse Serbia në një moment do të përballet me kërkesa të tilla.
Megjithatë, ai nënvizon se duhet të kuptohet se disa gjëra po ndryshojnë brenda BE-së.
“Ata kanë thënë prej vitesh se është bërë një përjashtim me pranimin e Qipros dhe se një përjashtim i tillë nuk do të përsëritet. Ajo që kemi dëgjuar nga Komisioni Evropian gjatë dy viteve të fundit është se ambiciet e Moldavisë dhe Ukrainës nuk duhet të mbahen peng nga konfliktet territoriale të pazgjidhura. Ne duhet të jemi të gatshëm ta ndryshojmë këtë lloj qasjeje”, tha Staroviq.
0 komentet