Surlliq: Sipas mesazheve nga Prishtin është evidente se qeveria e Kurtit nuk është e gatshme të bëjë lëshime
Në prag të mbledhjes së nesërme në Bruksel, ku do të diskutohet vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e pagesave në dinar, profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, ka vlerësuar për Kosovo online se, sipas mesazheve të dërguara nga Prishtina, është evidente se Qeveria e Albin Kurtit nuk është e gatshme të bëjë lëshime dhe do të vazhdojë të respektojë dekretin e BQK.
“Ajo që po ofrohet nga Prishtina dhe që ndoshta është diçka me të cilën do të dalin në Bruksel, është zbatimi i një modeli të pranueshëm për serbët dhe i cili nuk do të derogojë nga vetë rregullorja. Ata janë të interesuar që dekreti të zbatohet pa kushte, duke ofruar ndoshta një periudhë kalimtare, por në thelb të zbatohet vendimi që e kanë parashtruar, që është heqja e dinarit si mjet pagese në Kosovë”, tha Surlliq.
Ai është i mendimit se ka shumë pak mundësi për të arritur ndonjë marrëveshje, pavarësisht presionit të madh nga Brukseli dhe adresat e tjera.
“Dhe me faktin se delegacioni nga Prishtina është në nivel të ulët, përsëri dërgon një mesazh të qartë, se qëndrimi i tyre është shumë i ngurtë dhe se nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromis për çështjen e përdorimit të dinarit, përdorimin e mëtejshëm të dinarit në territorin e Kosovës”, ka përfunduar Surlliq.
Delegacioni nga Beogradi në takimin e nesërm do të udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ndërsa delegacioni nga Prishtina ende nuk ka bërë të ditur publikisht se kush do ta përfaqësojë. Pjesëmarrja është konfirmuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
komentet