Surlliq: Zgjedhjet e mundshme në Kosovë do të jenë edhe një justifikim tjetër që në dialog të mos arrihen zgjidhje
Nëse në Kosovë shpallen zgjedhje të parakonshme parlamentare, sipas vlerësimit të docentit të Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, kjo do të jetë edhe një justifikim i ri që dialogu me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve të shtyhet dhe të mos ketë zgjidhje konkrete.
Surlliq supozon se në rast të shkuarjes në zgjedhje do të ekzistonte dialog në nivel teknik në formën e takimeve të ekipeve, në mënyrë që Brukseli të ruajë të paktën formalisht pamjen se ky proces vazhdon dhe se ka vazhdimësi.
“Por në fakt, prej vitesh nuk kemi asgjë thelbësore që është produkt i dialogut, para së gjithash nuk ka përparime konkrete në zbatimin e Asociacionit të komunave serbe në territorin e Kosovës, sepse shohim se të gjitha çështjet e tjera në dialog varen ekskluzivisht nga fakti nëse korniza për këto tema do të jetë Asociacioni i komunave serbe”, tha Surlliq për Kosovo online.
Lidhur me vlerësimet që mund të dëgjohen në Prishtinë – se kryeministri Albin Kurti po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja sepse po shmang detyrimin për të zbatuar marrëveshjen për AKS, Surliq thotë se në lojë janë disa elemente.
“Faktori i parë është sigurisht që dialogu të vihet në plan të dytë dhe të vazhdohet me veprime të njëanshme dhe incidente në veri të Kosovës. Qëllimi i dytë ishte të largonte Vjosa Osmanin, e cila megjithatë fitoi një lloj kredibiliteti shtesë si lidere, dhe i treti është të forcojë pushtetin absolutist në mënyrë që pastaj pengesë për të të mos jenë as serbët dhe as shqiptarët që janë opozitë në Kosovë”, thekson ai.
Megjithatë, Surlliq nuk beson se nëse mbahen zgjedhjet rezultati i tyre do të jetë pozitiv për Kurtin në kuptimin që ai do ta përsërisë rezultatin që kishte në zgjedhjet e mëparshme.
“Mendoj se ai është i vetëdijshëm për këtë dhe shumica e analistëve që e ndjekin me kujdes këtë situatë thonë se ai në këtë moment është tepruar, sepse ka vënë shumë karta në tavolinë, shumë hapur, dhe kjo përfshin edhe dialogun me Beogradin dhe vazhdimin e përndjekjes së serbëve në Kosovë”, thotë Surlliq.
0 komentet