Tahiri: Për shkak të Kurtit, Kosova konsiderohet e paqëndrueshme dhe e rrezikuar nga konflikti

Abeljard Tahiri
Burim: Reporteri

Shefi i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, thotë se Kosova këtë vit ka hyrë me pasojat e retorikës së luftës së kryeministrit Albin Kurti të trashëguara prej vitit që lamë pas.

Në faqen e tij në Fejsbuk, Tahiri ka shkruar se falë retorikës së Kurtit në sferën ndërkombëtare, situata në Kosovë paraqitet jo stabile dhe e rrezikuar prej konfliktit. 

“Në vitin 2023, kemi hyrë me pasoja të retorikës së kryeministrit gjatë vitit 2022. Përderisa në Ukrainë luftohej agresioni rus, në Kosovë flitej për luftë nga kryeministri i vendit. Nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte“, ka thënë Tahiri.

Ai pyet se cili investitor i huaj do të rrezikonte investimet ndërkohë që kryeministri flet për kërcënim me luftë?

“Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër i tillë? Çfarë të ardhme ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij? Në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës“, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se rezultati i kësaj qeverie është largimi i të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. 

“Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër” thotë Tahiri.