Todiq pas seancës dëgjimore: Ndaj nesh po zhvillohet një procedim klasik politik
Kryetari i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, ka thënë sot se kundër tij dhe kolegëve të tjerë të ftuar të japin deklaratë është duke u zhvilluar proces politik, me synimin për të sulmuar çdo gjë serbe që ka mbetur në Kosovë.
Këtë deklaratë Todiq e ka bërë pasi është marrë në pyetje në Policinë e Kosovës i shoqëruar nga avokatja Jovana Fillipoviq.
“Ashtu si kolegët e mi që dhanë deklarata dje, edhe mua më akuzojnë për falsifikim të dokumenteve, është e qartë se kjo është një vepër penale që ekziston në kodin e tyre penal. Përfundimi këtu është se gjatë katër viteve të fundit dhe gjithë viteve të mëparshme, është ushtruar presion i jashtëzakonshëm mbi gjithçka që është serbe këtu. Gjithçka që ka mbetur të funksionojë dhe ekzistojë në Kosovë. Nuk ka dyshim se ky është një proces klasik politik dhe sulm ndaj institucioneve të Republikës së Serbisë. Ne jemi këtu, kemi punuar me përgjegjësi në interes të popullit tonë, ky tani është një sulm ndaj nesh. Problemi këtu nuk jemi ne si individë, por thelbi këtu është se presioni i përditshëm ushtrohet mbi popullin serb, të ndalohet gjithçka që është serbe”, tha Todiq.
Ai shtoi se pyetja është se për çfarë janë gati të gjitha autoritetet në Prishtinë.
“Sot kam bërë një deklaratë këtu në prani të një avokati. Çështja është se për çfarë janë të gatshëm, për çfarë është e gatshme qeveria në Prishtinë dhe çfarë do të bëjnë në aspektin e presioneve shtesë në periudhën e ardhshme. Pavarësisht pozitës së vështirë të popullit serb, ky vendim për shfuqizimin e institucioneve serbe të Kosovës dhe Metohisë do ta komplikojë edhe më shumë jetën e popullatës dhe qytetarëve tanë. Ne do të shohim. Ky është vetëm një hap në serinë kundër popullit tonë dhe në temën e ngritjes së këtyre kallëzimeve penale që janë ngritur kundër nesh”, ka thënë Todiq.
“Do të informoheni me kohë për hapat e ardhshëm të iniciuar nga autoritetet në Prishtinë kundër nesh”, ka thënë Todiq për mediat.
komentet