Vanovac: Ata që kishin interes për pogromin e marsit edhe sot pengojnë pajtimin

Ivana Vanovac
Burim: Kosovo Online

Kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës dhe Metohisë (DNKiM), Ivana Vanovac, theksoi se edhe 22 vjet pas pogromit të marsit, mediat shqiptare i qasen këtij ngjarjeje në mënyrë joprofesionale dhe se për këtë janë përgjegjëse politikat redaktuese dhe ata që qëndrojnë pas tyre. Ajo për Kosovo online vlerësoi se ata që atëherë kishin interes që të ndodhte dhuna, edhe sot ndikojnë që pajtimi ndërmjet komuniteteve të mos realizohet.

Vanovac thekson se publiku do të donte të dinte se është nisur një hetim lidhur me ngjarjet e 17 dhe 18 marsit, si dhe që është filluar një proces gjyqësor që do të kishte një epilog, por ajo thekson se edhe sot mbetet e paqartë kush është organizatori i dhunës dyditore ndaj serbëve.

“Ajo që dimë me siguri është se kush në një masë të madhe ka kontribuar që publiku dhe qytetarët të nxiten për të marrë pjesë në atë dhunë. Këto ishin mediat që, duke publikuar lajmin e rremë se pas vdekjes së djemve shqiptarë në Çabër qëndronte një grup serbësh, shkaktuan agresion në popull, kështu që kësaj dhune iu përgjigjën edhe ata që ndoshta në thelb nuk e kishin planifikuar fare, as nuk e dinin se do të organizohej diçka e tillë – pra qytetarët”, tha ajo.

Ajo thekson se gënjeshtra që atëherë u plasua me aq këmbëngulje në publik ishte shkaktari i dhunës dhe se ekziston përgjegjësi absolute e mediave për përmasat në të cilat ajo ndodhi.

“Ajo që është e frikshme është se ne tashmë, ja, 22 vjet pas atyre ngjarjeve të rënda, çdo vit përballemi me të njëjtin problem, e ai është një qasje po aq joprofesionale e mediave shqiptare ndaj asaj dite dhe atij informacioni”, thekson Vanovac.


Ajo rikujton se askush nuk duhet të harrojë se hetimet që janë kryer, dhe të cilat janë zhvilluar nga organe të pavarura ndërkombëtare në atë kohë, kanë treguar se komuniteti serb nuk ka asgjë të bëjë me mbytjen e djemve në Çabër.

“Çka është shumë e rëndësishme të theksohet, sepse nëse vazhdimisht e ringjallim këtë narrativë për ne si fajtorë, për faktin se një komunitet mban përgjegjësi kolektive për vdekjen e njerëzve të pafajshëm, atëherë vërtet hyjmë në një problem që çdo herë, çdo vit më 17 mars, gjithçka të përshkallëzohet përsëri”, tha Vanovac.

Politika redaktuese dhe ata që qëndrojnë pas saj, thekson bashkëbiseduesja jonë, janë përgjegjës për mënyrën se si mediat edhe sot raportojnë për ngjarjet e 17 marsit.

“Thjesht, ai që kishte interes që në mars të ndodhte dhuna, ajo dhunë e tmerrshme ndaj popullit serb dhe ndaj pronës dhe trashëgimisë së tij kulturore, po ai edhe sot vendos se ende nuk është momenti që këto dy komunitete të pajtohen plotësisht”, porositi ajo.


Vanovac thekson se një nga sinjalet e para që do të tregonte se do të ketë ndonjë pajtim dhe njohje të ndërsjellë të përgjegjësive për kontekstin e përgjithshëm politik do të jetë mënyra se si mediat raportojnë për ngjarjet e pakëndshme nga komuniteti tjetër.

“Kjo, diku, ndoshta do të jetë treguesi i parë se ka shpresë që kjo zonë të stabilizohet. Për momentin nuk ka asnjë shenjë që kjo do të ndodhë, ndërsa 17 marsi si tragjedia më e madhe ndoshta do të jetë pikërisht ai tregues i parë që gjërat po normalizohen gradualisht dhe se njëra palë megjithatë është e gatshme të pranojë përgjegjësinë për ngjarjet”, përfundoi ajo.