Vuçiq: Besoj në miqësitë e ardhshme midis serbëve dhe shqiptarëve

Vučić, Rama, Kovačevski
Burim: Instagram @buducnostsrbijeav

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se ka diskutuar me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitri Kovaçevski, se si të ndihmohen njerëzit e zakonshëm dhe si të largohen të gjitha pengesat dhe të mundësohet tregtia e lirë dhe qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve.

Vuçiq e deklaroi këtë në një konferencë për media pas takimit me Ramën dhe Kovaçevskin në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur, e cila u mbajt në bashkinë e qytetit të Bardolinit, në Verona.

Presidenti i Serbisë ka thënë se ka çështje për të cilat Serbia dhe Shqipëria nuk pajtohen, siç është çështja e Kosovës, por edhe se “në vend që të fajësojmë njëri-tjetrin, duhet të flasim për ekonominë dhe marrëdhëniet më të mira mes shteteve”.

“Çfarë duhet të bëjmë? A duhet të vazhdojmë me konfliktet? A duhet të na ndodhë një Ukrainë e re? Ka shumë njerëz në Serbi që presin një konflikt. Çfarë prisni? Që barra politike të bëhet edhe më e rëndë për serbët dhe shqiptarët? Do të bëjë gjithçka për ta shmangur këtë dhe mendoj se Edi po bën të njëjtën gjë. Ne e dimë se cilat janë dallimet tona dhe jetojmë me këtë. Njerëzit duhet të jenë në kontakt dhe unë besoj në miqësinë e ardhshme midis serbëve dhe shqiptarëve", tha Vuçiq.

Ai tha se me Ramën është duke diskutuar për bashkëpunim, se ndonjëherë mund të kenë deklarata kontradiktore, por shtoi se siç theksoi Kryeministrja Ana Brnabiq, ekonomia është baza e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai shtoi se është e rëndësishme që qytetarët e atyre vendeve të ndjehen të sigurt dhe të mirëpritur kur shkojnë në vende të tjera.

"Ne udhëheqim një politikë të përgjegjshme, siç bëjnë njerëzit seriozë, është e lehtë të marrësh pikë politike duke fyer dikë. Ne i dimë dallimet mes nesh, ne mund të jetojmë me këtë, sepse njerëzit tanë duhet të jetojnë me njëri-tjetrin. Unë besoj në miqësitë e ardhshme midis popullit serb dhe shqiptar dhe besoj se marrëdhëniet janë më e mirë se sa ishin falë miqve tanë shqiptarë”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se është arritur një marrëveshje për përfundimin e procesit të sigurimit të lejeve të përbashkëta të punës në mes të tre vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur.

“Ne diskutuam edhe për marrjen e kartave të reja të identifikimit dhe të tre ramë dakord që në muajt në vijim do të arrijmë progres në këtë çështje. Ramë dakord për përfundimin e procesit të sigurimit të lejeve të punës dhe kjo do të ishte baza, guxoj të them, baza e bashkëpunimit ekonomik mes të gjithë neve”, theksoi Vuçiq.