Vuçiq: I shqetësuar për aleancën e Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës; Prishtina kërkon armë shtesë nga SHBA dhe Turqia

Aleksandar Vučić
Burim: Instagram

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se është shumë i shqetësuar për aleancën ushtarake të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një aleancë ushtarako-teknike, ndërsa paralajmëroi se një aleancë mbrojtëse mund të shndërrohet brenda një dite në aleancë sulmuese. Ai tha se ka informacione për plane të reja dhe kërkesa të Prishtinës për armë shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia.

“Si president i Serbisë, më shqetëson shumë aleanca ushtarake e Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës. Mos harroni se kjo nuk është një aleancë ushtarako-teknike, për bashkëpunim ushtarako-teknik. Për këtë, përveçse me Prishtinën, nuk do të kisha asnjë problem. Kjo është një aleancë ushtarake. Ajo krijohet për veprime mbrojtëse ose ofensive kundër territoreve të caktuara. Kjo aleancë mbrojtëse mund të shndërrohet brenda një dite në aleancë sulmuese”, theksoi Vuçiq.

Ai tha se Serbia kishte dijeni për disa takime që ata kishin zhvilluar dhe për veprimtarinë e tyre, duke shtuar se Beogradi kishte marrë menjëherë informacione për një takim, për të cilin ishte njoftuar me dy ditë vonesë, pasi ishte tentuar të mbahej sekret.

Vuçiq tha se Serbia po pyet pse dhe kundër kujt është formuar kjo aleancë.

“Pse e keni formuar? Të gjithë jeni në NATO, Kroacia dhe Shqipëria, Prishtina nuk është, prandaj shtrohet edhe më shumë pyetja se si keni krijuar aleancë me ta. Veçanërisht shqetëson fakti se dimë për plane dhe kërkesa të reja të Prishtinës, e cila do të kërkojë armë shtesë nga Amerika dhe Turqia. Nga Prishtina po marr vesh se do të kërkojnë sisteme ‘Hokai’, për të cilat ende nuk kanë marrë miratim. Do të kërkojnë forcimin e ‘Javelinëve’ dhe armë të tjera nga Turqia. Kam një listë të plotë”, theksoi Vuçiq.

Ai trgoi se po zhvillohen bisedime në nivelin e të tre entiteteve për të gjitha drejtimet e sulmit dhe mbrojtjes.

“Për këtë kemi të dhëna të rëndësishme inteligjente. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, sepse fuqia e Ushtrisë së Serbisë po rritet dita-ditës me progresion gjeometrik”, nënvizoi Vuçiq.

Ai tha se dje ka pasur bisedime shumë të rëndësishme dhe se Serbia po blen pajisjet më moderne, të cilat sot në Evropë i ka asnjë ose vetëm një vend.

“Shqetësohem çdo ditë dhe çdo natë. Nuk e nënvlerësoj askënd. Nuk ka ‘do t’ia dalim lehtë’. Do të jetë e vështirë, por për ta do të jetë edhe më e vështirë”, porositi presidenti i Serbisë.

Ndryshim në politikë – mbështetje në marrëveshje bilaterale në vend të atyre multilaterale

Vuçiq vuri në dukje se ka ndodhur një ndryshim paradigme në politikën botërore dhe se tani të gjithë po mbështeten në marrëveshje bilaterale, në vend të atyre multilaterale.

Siç tha ai, të gjithë kanë filluar të kujdesen vetëm për veten dhe për këtë arsye mbështeten në marrëveshje bilaterale.

“Ka një ndryshim të plotë të paradigmës së politikës që njihnim. Gjithçka në botë ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të ndryshojë”, theksoi Vuçiq.

Ai është i bindur se marrëdhëniet amerikano-evropiane nuk do të jenë më kurrë si në vitet ’90 dhe 2000.

“Kjo ndarje e interesave dhe qëllimeve ka filluar që në kohën e Barack Obamës, vetëm më e heshtur në ton diplomatik, dhe ka vazhduar gjatë kohës së Bidenit. Trumpi vetëm e ka zhveshur këtë politikë dhe ka thënë ‘Amerika e para’”, shpjegoi Vuçiq.

Ai paralajmëroi një aktivitet të fuqishëm diplomatik gjatë këtij muaji.

Në ditët në vijim do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Turqi, më pas në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku, siç tha, do të ketë një takim bilateral me shefin e diplomacisë kineze.

Më 15 shkurt, Serbinë do ta vizitojë presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Pas kësaj, Vuçiq do të udhëtojë në Indi, ndërsa pas kthimit në Beograd do të presë zyrtarë evropianë. Më pas, presidenti i Serbisë do të udhëtojë për vizitë në Kazakistan.