Vuçiq me Putinin në Pekin: Mirënjohje e madhe për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë

Aleksandar Vučić i Vladimir Putin
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot në Pekin me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilit i përcolli mirënjohje për mbështetjen dhe respektimin e integritetit territorial të Serbisë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, theksoi se ka respekt të madh për politikën e jashtme të pavarur të udhëhequr nga Serbia.


„Më vjen mirë që ju shoh në Pekin dhe ju falënderoj që gjetët mundësinë të takohemi sot. Dua t’ju falënderoj për mikpritjen dhe pritjen e ngrohtë në Moskë më 9 maj. Më lejoni t’ju shpreh juve personalisht mirënjohje të madhe për mbështetjen dhe respektimin e integritetit territorial të Serbisë dhe t’ju falënderoj për qëndrimin miqësor ndaj popullit serb“, tha Vuçiq Putinit në fillim të takimit.

Ai theksoi se për Serbinë është e rëndësishme bashkëpunimi me Rusinë në nivel të lartë në të gjitha fushat, duke shprehur shpresën se do të ketë mundësi që ky bashkëpunim të forcohet e të zgjerohet.

„Për ne është me rëndësi jetike fusha e energjetikës dhe furnizimi me gaz. Falë naftësjellësit drejt Hungarisë do të bëjmë hapa përpara në zhvillimin e bashkëpunimit në këtë fushë“, tha Vuçiq dhe ftoi kompanitë ruse që dëshirojnë të marrin pjesë në projektet infrastrukturore në Serbi.

Ai gjithashtu theksoi se Serbia, që nga fillimi i krizës në Ukrainë, gjendet në një situatë të vështirë dhe nën presion të madh.

„Pavarësisht kësaj, arritëm të ruajmë qëndrimin parimor, ta mbrojmë pavarësinë e Serbisë dhe jemi i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Edhe në të ardhmen do të ruajmë neutralitetin tonë“, tha Vuçiq.

Shtoi se dëshiron të dëgjojë të gjitha propozimet e presidentit Putin për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Serbi–Rusi.

„Faleminderit edhe një herë për pritjen e ngrohtë, dhe jam i sigurt se bashkëpunimi dypalësh i Rusisë dhe Serbisë mund të zgjerohet dhe të forcohet“, tha Vuçiq.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shprehu kënaqësinë për takimin me presidentin e Serbisë.

„Ne kemi respekt të madh për politikën e jashtme të pavarurqë ndjek Serbia nën udhëheqjen tuaj. Më vjen mirë që sot flasim për çështje dypalëshe dhe rajonale, ashtu si gjithmonë kur kemi mundësinë të takohemi personalisht dhe të bisedojmë“, tha Putin.

Ai theksoi se partneriteti strategjik i dy vendeve sjell rezultate pozitive si për Serbinë ashtu edhe për Rusinë.

Ai ka vërejtur se vitin e kaluar është regjistruar një rënie në tregti, por se këtë vit shihet një dinamikë pozitive, duke shtuar se detyra e përbashkët është ta ruajnë këtë.

„Resoret tona janë në kontakt të vazhdueshëm, bashkëpunojnë, punojnë intensivisht dhe me rezultate të prekshme. Në fund të këtij viti është planifikuar takimi i radhës i Komitetit tonë të përbashkët ndërqeveritar, tani po përgatiten propozimet tona për iniciativa të përbashkëta “, shtoi Putin.