Vuçiq: Me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Surinami u bë shembull për vendet e tjera
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme, Biznesit Ndërkombëtar dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Surinamit, Albert Ramdin, dhe ka bërë të ditur se me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ai vend u bë shembull për më shumë se 25 vende të tjera që më pas bënë të njëjtën gjë.
Vuçiq ka deklaruar në Instagramin e tij “buducnostsrbijeav” se me Ramdinin ka biseduar edhe për thellimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.
“Jam i kënaqur që pata mundësinë të pres sërish shefin e diplomacisë së Surinamit, me të cilin shkëmbyem mendime për drejtimet e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht miqësore. Surinami ka një rëndësi të veçantë për ne, sepse me tërheqjen e njohjes së të ashtuquajturës Kosovë, u bë shembull për mbi 25 vende të tjera që atëherë bënë të njëjtën gjë”, ka bërë të ditur Vuçiq.
Siç thuhet në komunikatën e Zyrës për Bashkëpunim me Media të Presidentit të Republikës, Vuçiq ka theksuar gjatë takimit se Serbia e vlerëson shumë Surinamin për shkak të vendimit për tërheqjen e pavarësisë së Kosovës, me të cilën, siç u tha, u konfirmua respektimi i parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.
“Ministri Ramdin tha se vendimi i tyre nuk vihet në dyshim dhe se Surinami mbetet i përkushtuar për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, thuhet në deklaratë.
Vuçiq falënderoi për mbështetjen e kandidaturës së Beogradit për organizimin e Ekspozitës Ndërkombëtare Botërore EXPO 2027.
Ai propozoi edhe formimin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim, në mënyrë që të përcaktohen më lehtë fushat në të cilat ka mundësi për vendosjen e bashkëpunimit më të fortë, si shëndetësia, arsimi, sporti e të tjera.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet rajonale dhe globale, thuhet në deklaratë.
komentet