Vuçiq: Presione të mëdha - thelbi është që Serbia ta njohë Kosovën, dhe Prishtina të mos bëjë asgjë

Aleksandar Vučić Pink screenshot
Burim: Skrinšot TV Pink

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se Serbia është nën presion të madh në lidhje me Kosovën, dhe se thelbi i gjithë atyre presioneve është që Serbia ta njohë Kosovën, por Prishtina të mos përmbushë asgjë.

Pas seancës së Kryesisë së PPS-së, Vuçiq u tha gazetarëve se tema kryesore ishte graviteti i situatës politike me të cilën ballafaqohet Serbia dhe të gjitha presionet ndaj të cilave është e ekspozuar, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Është e qartë dhe e pamëdyshë, duke u bazuar në raportin e Petar Petkoviqit, por edhe në atë që thashë, se ekziston një plan 'de facto' me të cilin po mundohen t'i thonë Serbisë dhe serbëve se disa i kanë përmbushur të gjitha obligimet e tyre, duke dëgjuar prezantimin për Bashkësinë e Komunave Serbe, por thelbi i planit është që ne t'i njohim dhe ata të mos bëjnë asgjë", tha Vuçiq.

Ai shtoi se PPS ka dhënë mbështetje të plotë për vendimet që kanë të bëjnë gjithmonë me arritjen e një kompromisi, por edhe me mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore, me çdo kusht.

Vuçiq shtoi se kanë biseduar edhe për situatën ekonomike në vend dhe se nga qeveria është kërkuar që të ketë një qasje më intensive dhe më të fortë ndaj reformave në kompanitë publike dhe një qasje më të guximshme për tërheqjen e mëtejshme të investimeve të huaja direkte.

Ai po ashtu ka thënë se në Kuvendin e PPS-së, më 27 maj në Kragujevci, 4000 delegatë do të zgjedhin kryesinë e re të partisë.