Xhozef: Modeli i Kosovës si zgjidhje e mundshme për Donbasin
Ligjëruesi në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe eksperti për menaxhimin e konflikteve, Eduard Xhozef, pohon se zbatimi i modelit të Kosovës në Donbas është mënyra më reale për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sepse, siç thotë ai, këtë e mbështet edhe presidenti rus Vladimir Putin.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Xhozef deklaroi se modeli do të funksiononte në Donbas, pasi, ashtu si në Kosovë më 1999, çështja e sovranitetit nuk do të zgjidhej menjëherë, por do të shtyhej për një referendum të mëvonshëm.
“Putini i mbështet referendumet – ai i organizoi ato edhe në Krime, edhe në pjesët e Donbasit që kontrollohen nga Rusia. Pra, atij do t’i ofroheshin dy gjëra që ai nuk i kundërshton: modeli i Rezolutës 1244 dhe referendumi. Me këtë model, ai mund të ‘merrte’ edhe më shumë territor, sipas mendimit tim madje edhe më shumë sesa ofron plani i Donald Trumpit. Ai mund të merrte edhe pjesët perëndimore të Donbasit, që janë më të ndjeshme për Ukrainën, sepse kështu Rusia do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi të gjithë vendin dhe madje do të hapte edhe një drejtim tjetër drejt Kievit”, theksoi profesori.
Ai nënvizon se Putini megjithatë do të duhej të pranonte një kusht, ashtu siç ishte rasti me Kosovën, që Donbasi të vihej nën administrimin e një pale të tretë, qoftë të Kombeve të Bashkuara apo të OSBE-së.
Sipas Xhozefit, Ukraina do të përfitonte nga ky qasje, sepse nuk do të ishte e detyruar të njihte aneksimin rus të Donbasit, ndërsa statusi i Krimesë do të lihej për bisedime të mëvonshme.
“Arsyeja tjetër, dhe më e rëndësishmja për presidentin ukrainas Zelensky, janë garancitë e sigurisë. Modeli i Kosovës do të sillte një administratë ndërkombëtare nga OKB-ja apo OSBE-ja, që do ta ndalte menjëherë rusifikimin – imponimin e pasaportave ruse, indoktrinimin ushtarak të fëmijëve dhe pengesat për të zhvendosurit që duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Nën këtë administratë do të formoheshin edhe komisione ndërkombëtare për çështjet e pronës. Ashtu si në Kosovë, në Donbas do të vendoseshin forca paqeruajtëse, dhe që të ishte më e pranueshme për Rusinë, ato mund të vinin nga Afrika ose Azia, jo domosdoshmërisht nga Evropa. Pra, thelbi i gjithçkaje është se, kur çështja e sovranitetit përkohësisht lihet mënjanë, çdo element tjetër bëhet shumë më i lehtë për t’u negociuar”, tha profesori Xhozef.
Duke u kthyer përpjekjeve të administratës së presidentit Trump, Xhozef thotë se është pozitive që Uashingtoni i jep prioritet paqes dhe vendos sanksione ndaj kompanive energjetike ruse, por paralajmëron se negociatat, të cilat bazohen plotësisht në përparësitë e palës më të fortë – Rusisë, mund të shndërrohen në një “dorëzim të heshtur” të Ukrainës.
Ai kritikon gjithashtu vendimin për të përjashtuar publikisht mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa “Tomahawk”, gjë me të cilën, sipas tij, është humbur një levë e rëndësishme presioni ndaj Moskës.
Xhozef vlerësoi gjithashtu se anëtarësimi i mundshëm i Serbisë në NATO do të përbënte një goditje të fortë për Rusinë.
“Sepse Serbia është ‘Moska’ e Rusisë në Ballkan. Serbia është anija luftarake përmes së cilës Rusia ushtron ndikimin e saj në gjithë Ballkanin. Nëse ajo anije fundoset, ose nëse lundron drejt ujërave të NATO-s, kjo do të ishte një goditje e madhe për Rusinë – madje edhe për Kinën – sepse si Rusia, ashtu edhe Kina, si në mënyrë formale ashtu edhe metaforike, e shohin Serbinë si partnerin e tyre strategjik dhe platformën kryesore të ndikimit në Ballkan. Tani vjen pyetja juaj shumë e rëndësishme: pse do ta bënte Serbia një gjë të tillë, duke pasur parasysh gjithë atë afërsi me Rusinë? Ka disa arsye – madje edhe një arsye që pothuajse do ta bënte të pamundur për Aleksandar Vuçiqin ta refuzonte një ofertë të tillë nga Trumpi. Së pari, Trump është jashtëzakonisht i popullarizuar në Serbi dhe një figurë shumë me ndikim. Për Vuçiqin do të ishte shumë e vështirë të thoshte: ‘Jo, nuk e pranoj’. Përveç kësaj, Trump gjatë mandatit të tij të parë u përpoq të sillte paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, kjo nuk do të ishte gjë e re. Ai e njeh rajonin dhe shpesh thotë se e ka ndalur luftën midis Serbisë dhe Kosovës”, theksoi Xhozef.
Ai konsideron se paralelisht do të hapej edhe rruga për anëtarësimin e Kosovës në NATO, me detyrimin që kryeministri i Kosovës të nënshkruajë statutin e Asociacionit të komunave serbe.
“Vuçiq e kërkon atë asociacion prej vitesh dhe me këtë do ta merrte. Së pari, në këtë fazë po flasim vetëm për rrugën drejt anëtarësimit në NATO, kështu që asnjë nga katër vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën nuk ka nevojë ta ndryshojë qëndrimin e vet. Spanja mund të vazhdojë të mos e njohë Kosovën, s’ka problem. E vetmja gjë që kërkohet është të mos bllokohet eventualisht qasja e propozuar. Së dyti, Greqia, sapo kryeministri i Kosovës të nënshkruajë statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, jam i sigurt se do ta njohë Kosovën, pavarësisht nëse Serbia e pranon apo jo. Kur Greqia ta njohë Kosovën, do të jetë më e lehtë për Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën të ndjekin të njëjtën rrugë. Por, nga ta nuk kërkohet që ta njohin Kosovën menjëherë, por vetëm të mos pengojnë anëtarësimin në NATO”, deklaroi profesori.
Xhozef përfundon se brenda tre vitesh, me zbatimin e këtij modeli, tensionet mund të ulen ndjeshëm, me më shumë tregti dhe lidhje më të forta rajonale.
0 komentet