Zeçeviq: Kushtëzimet e Brukselit janë levë presioni ndaj Prishtinës

Slobodan Zečević
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Institutit për Studime Evropiane në Beograd, Sllobodan Zeçeviq, ka vlerësuar se refuzimi i Brukselit për t’i dërguar Prishtinës pyetësorin që do të sqaronte të gjithë elementët e negociatave të ardhshme për anëtarësim në BE është një lloj "leve presioni" për të formuar Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, i cili më vonë do të shërbente si argument që edhe pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën të pranonin një aplikim të tillë.

“Ata presin që shqiptarët të bëjnë diçka. Ndoshta e shohin këtë si një levë presioni që të mos u dërgojnë pyetësorin derisa të bëhet diçka në lidhje me Bashkësinë e Komunave Serbe. Me gjasë, shqiptarët janë nervozë dhe kërkojnë që t’u dërgohet pyetësori sepse ky është qëllimi i tyre, por duket se vetë pyetësori nuk është diçka aq vendimtare që do t’i detyronte menjëherë të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”, deklaroi Zeçeviq për Kosovo online.


Duke komentuar kërkesën e Albin Kurtit drejtuar Komisionit Evropian për t’i dërguar Kosovës një pyetësor me qëllim marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, Zeçeviq thotë se kjo është loja e tij në raport me BE-në.

“Kurti në fakt po pretendon se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston dhe BKS-ja nuk ekziston, por se kjo nuk është problem dhe kërkon t’i dërgohet një pyetësor. Kaq është”, saktësoi Zeçeviq.

I pyetur se si dërgimi i një pyetësori të tillë në Kosovë do të ndikonte te pesë vendet që nuk e njohin atë, Zeçeviq thotë se argumenti do të përdorej se Prishtina dëshiron të “i afrohet standardeve evropiane”.

"Mendoj se ata do të kishin një argument kundër atyre anëtarëve se për Kosovën kjo nuk do të thotë pranim formal, por se ajo duhet t'i afrohet standardeve evropiane, dhe do të afrohet nëse hyn në procesin e pranimit në BE. Kështu, legjislacioni i Kosovës përshtatet me legjislacionin e BE-së, dhe ky do të ishte një argument i fortë për ata që e njohën Kosovën për të bindur këta anëtarë që nuk e njohën se Prishtina është konstruktive, se ka bërë një hap në drejtimin e duhur që duhet shpërblyer”, thekson Zeçeviq.