Zyra për KeM për rrënimin e garazheve: Mungesë e sundimit të ligjit, të rrezikuara të drejtat ekzistenciale të serbëve
Zyra për Kosovë dhe Metohi e dënoi rrënimin e garazheve në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar se një veprim i tillë tregon mungesë të ligjit në Kosovë dhe se autoritetet në Prishtinë po rrezikojnë të drejtat pronësore dhe ekzistenciale të popullit serb.
Siç thuhet në njoftim, përpjekjet e autoriteteve në Prishtinë për të marrë dhe për të zvogëluar kompetencat e vetëqeverisjes lokale në Mitrovicën e Veriut janë të papranueshme.
“Rrënimi i paligjshëm dhe arbitrar i garazheve private në pronësi të serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës tregon mungesën e plotë të sundimit të ligjit në territorin e Kosovës dhe Metohisë, ku me vendime të njëanshme të Prishtinës rrezikohen drejtpërdrejt të drejtat pronësore dhe ekzistenciale të popullit serb. Rrënimi i garazheve private është kryer pa njoftimin dhe pa pëlqimin e komunës serbe të Mitrovicës së Kosovës dhe të udhëheqjes lokale, e cila është zgjedhur në mënyrë legjitime me shumicë absolute të votave të popullit serb, dhe janë të papranueshme përpjekjet e autoriteteve në Prishtinë për të anashkaluar, marrë, hequr ose zvogëluar kompetencat e kësaj vetëqeverisjeje lokale ku serbët përbëjnë shumicën”, thuhet në njoftim.
Zyra gjithashtu hodhi poshtë arsyet e përmendura për rrënimin – se toka është në pronësi private të kompanisë “Trepça jug”, duke theksuar se bëhet fjalë për justifikime që nuk pasqyrojnë gjendjen në terren, pasi pronarët e këtyre garazheve posedojnë dokumentacion për të drejtat pronësore, si dhe disa prej objekteve të rrënuara janë ndërtuar para më shumë se pesë dekadash.
“Fakti që kjo aksion është kryer në mënyrë të befasishme, në orët e hershme të mëngjesit, me asistencën e një numri të madh pjesëtarësh të të ashtuquajturës polici e Kosovës, tregon për prapavijën politike të këtij veprimi, një tjetër në vargun e aktiviteteve të dhunshme dhe të kundërligjshme të Prishtinës të drejtuara kundër qëndrueshmërisë dhe të drejtave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, theksohet nga Zyra për KeM.
Ata theksojnë se ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm, ndërsa pasivitetin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët sipas tyre janë të informuar për problemin, e vlerësojnë si shqetësues.
“Me këtë grabitje të kundërligjshme, Zyra për KeM do të informojë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, sepse një veprim i tillë nga Prishtina përbën precedent të rrezikshëm dhe shkelje edhe të vetë rregulloreve të Prishtinës, të cilat shkelen hapur sa herë që është e nevojshme të goditet populli serb. Theksojmë se pasiviteti dhe reagimi i papërshtatshëm i përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët që nga fillimi janë informuar nga udhëheqja lokale për këtë problem dhe qëllimet e rrezikshme të Prishtinës, është shumë shqetësues”, thuhet në njoftim.
Sot në mëngjes, pak para orës shtatë, ka filluar rrënimi i garazheve që ndodhen pranë qendrës së paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, pronarët e të cilave janë serbë. Inspektorati komunal nuk e ka miratuar rrënimin, ndërsa kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, theksoi se jemi dëshmitarë të shkeljes së ligjit, ndërsa policia po merr pushtetin ekzekutiv. Siç njoftoi, për këtë çështje do t’i drejtohen prokurorisë.
0 komentet