Arsovski: Pa befasi në zgjedhje, Maqedoninë e Veriut e pret një periudhë më e qetë politike

Petar Arsovski
Burim: Kosovo Online

Analisti Petar Arsovski vlerësoi se zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut nuk sollën befasi të mëdha dhe se, duke gjykuar sipas rezultateve paraprake, vendin e pret një periudhë më stabile dhe më e qetë politike. Ai konsideron se rezultatet i kanë konfirmuar prirjet ekzistuese politike dhe se dallimet midis partive ishin brenda kufijve të pritshëm, gjë që mund të kontribuojë në qetësimin e skenës politike.

„Rezultatet në masë të madhe i kanë konfirmuar tendencat politike ekzistuese. Janë shfaqur disa përqindje të vogla margjinale, për shembull, një performancë e mirë e të Majtës në Shkup. Një performancë relativisht e dobët e BDI-së dhe një rezultat i mirë i VLEN-it në mbarë vendin, por e gjitha kjo është brenda variacioneve statistikore që kanë treguar sondazhet. Nuk ka pasur befasi të mëdha dhe kjo mund ta çojë vendin drejt një periudhe më të qetë politike,“ theksoi Arsovski.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, Arsovski pret në të ardhmen një periudhë gjatë së cilës vendi duhet t’i përkushtohet përmbushjes së asaj që është premtuar në zgjedhje.

„Në çdo rast nuk do të ketë më atë presion që zgjedhjet e parakohshme parlamentare eventualisht ta legjitimojnë ose ta delegjitimojnë partnerin shqiptar në Qeveri, prandaj, .do të thosha, vjen një periudhë më e qetë gjatë së cilës vendi duhet t’i përkushtohet realizimit të premtimeve të dhëna në zgjedhje,“ tha Arsovski.