Baçovska Nediq: Politikanët maqedonas pa kreativitet në fushatën zgjedhore, problemet vendore në plan të dytë

Jasna Bačovska Nedić
Burim: Kosovo Online

Fushata për zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut, megjithëse në fillim, tashmë tregon zakonin e vjetër të partive politike që në plan të parë të vendosin temat kombëtare, ndërsa problemet vendore sikurse infrastruktura dhe ekologjia, sërish në plan të dytë, vlerëson  profesorja e Fakultetit Juridik tek "Justiniani i Parë" në Shkup dhe specialiste për mediat dhe komunikimin Jasna Baçovska Nediq.

"Tani jemi veçse në fillim të fushatës, por ajo kishte parafushatë dhe përherë është kështu. Dhe sikurse çka shohim, nuk mund t’a braktisim traditën tonë që tek fushatat politike në zgjedhjet vendore të dominohen tema me karakter kombëtar, tema që janë të thella dhe mjaft specifike për zgjedhjet parlamentare. Për shembull, identiteti, emri, problemet standarde të shtetit... Shikojmë se kandidatët për këto zgjedhje në retorikën e tyre nuk e braktisin atë axhendë, pavarësisht faktit se zgjedhjet vendore janë diçka krejtësisht e ndryshme, ku individualiteti dhe profili personal i kandidatit është mjaft i rëndësishëm", thotë për Kosovo onlajn Baçovska Nediq.

Sipas fjalëve të saja, kandidatët duhet të fokusohen tek komuniteti lokal.

"Kandidati duhet të ketë perceptim pozitiv tek komuniteti që e zgjedh dhe sa më pak t’a shfrytëzojë partinë politike si sfond, si dhe të përdorë sa më shumë integritetin e vet personal, idetë dhe parashikimet për komunitetin vendor", spegon ajo.

Kujton se Maqedonia e Veriut ka një sërë problemesh vendore sikurse infrastruktura, higjiena, problemet ekologjike..., me të cilat kandidatët merren shumë pak.

"Vetëqeverisja vendore është joefikase dhe qytetarët i ushtrojnë të drejtat e tyre shumë vështirë dhe ngadalë. Nëse bëjmë analizën përmbajtësore të fjalimeve të kandidatëve për zgjedhjet vendore, shikojmë se ata merren shumë pak me problemet vendore. Nga ky aspekt, partitë politike duhet të mendojnë edhe për edukimin e brendshëm të kandidatëve. Nuk bëhet fjalë vetëm me përfitimin e votave të qytetarëve, por duhet të jesh shoqërisht përgjegjës dhe të bësh diçka", pohon ajo.

Profesorja shton se, kur i vëzhgon profesionalisht zgjedhjet, "reagimi lokal është shumë më i rëndësishëm sesa ai i jashtëm në politikën e jashtme".

"Së pari duhet t'i rregullojmë gjërat në shtëpi dhe më pas të jemi perceptikisht pozitiv. Pra, disi, kjo tendencë duhet të reflektohet", thotë Baçovska Nediq.

Duke folur rreth identitetit vizual të fushatës, vlerëson se këtu ka dhe mungesë kreativiteti.

"Kur shikojmë ato postera dhe billborde, ato nuk dallojnë dhe nuk ka kreativitet të madh. Nuk mund të dallojmë në bazë të identitetit vizual të fushatës për zgjedhjet vendore nga kombëtare. Ja, billbordet që janë shfaqur në mbarë qytetin, shikojmë fytyrat e kandidatëve dhe nuk kemi asnjë problem apo zgjidhje të vetme, asgjë që do të ndryshonte në raport me fushatën", thekson bashkëbiseduesja jonë.

Shton se fushatat duhet t'i animojnë më shumë të rinjtë dhe t'i shpëtojnë nga apatia politike.

"Fushata sapo ka nisur, zakonisht intensifikohet në finish. Do të shikojmë dhe inovacion dhe kreativitet dhe sesi kandidatët do t'u drejtohen të rinjve në rrjetet sociale. Fushatat nuk janë vetëm për të përfituar vota dhe promovojnë veten, por që duhet që në një fare mënyre të jenë mjet edukativ për të rinjtë, për t'i sensibilizuar, përfshirë..., që të mos keni të rinj politikisht apatik", beson Baçovska Nediq.

Kjo e fundit thekson se kandidatëve në fushatë u mungon edhe autenticiteti.

"Ajo gjithashtu është e rëndësishme dhe sikurse shikoj unë, kandidatët nuk janë tamam autentikë. Nuk investojnë energji, inteligjencë emocionale dhe identifikohen më shumë me partinë e tyre sesa me projeksionet e tyre personale për zgjidhjen e problemeve", konkludon profesorja nga Shkupi.