Qytetarët e Shkupit: E mbështetim bojkotimin e zinxhirëve tregtarë, por nuk besojmë se do të ketë efekt
Maqedonia e Veriut iu bashkua bojkotit të zinxhirëve tregtarë për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave, dhe qytetarët e kryeqytetit të vendit, Shkupit, kanë theksuar se e mbështesin bojkotin, por nuk besojnë se do të ketë ndonjë efekt.
“Po, pse jo. Nuk jam e vetmja, shumë të tjerë po e bëjnë dhe do të ishte e drejtë që t’i ulnin çmimet, e kanë tepruar. Sinqerisht, çdo ditë shkoj për të blerë dhe i shoh çmimet, i di sa janë. Gjithçka po bëhet gjithnjë e më keq. Nuk ka zbritje, përveç kur produktit po i afrohet afati i skadencës,” theksoi një banore e Shkupit.
Bashkëqytetaret e saj mendojnë se bojkoti nuk do të ketë efekt, sepse ushqimi duhet blerë.
“Do t’i bojkotojmë, por nuk do të ketë efekt. Kot, sot nuk do të kenë qarkullim, por nesër po. Ushqimi duhet blerë. Nuk do të ketë asnjë efekt,” theksuan banoret e Shkupit.
Të pyetura nëse ka pasur ndonjë ndryshim në çmime pas bojkotit të javës së kaluar, ato thanë se nuk është vënë re asnjë ndryshim.
“Sigurisht që do të bojkotoj. Por me këtë nuk arrihet asgjë. Situata është e njëjtë, ata që nuk blejnë sot, do të blejnë nesër. Qeveria duhet të ndërmarrë diçka për të sjellë ndonjë rezultat,” shtuan ato.
Një qytetar i Shkupit deklaron se e përkrah bojkotin, por që njerëzit janë mësuar me psikologjinë e konsumatorit dhe se, nëse jo sot, atëherë nesër, ata do të vazhdojnë të bëjnë blerje në zinxhirët tregtarë.
“Po, i bashkohem gjithë atyre përpjekjeve që kërkon populli, thjesht nuk mendoj se do të ketë shumë sukses sepse ne njerëzit jemi mësuar me atë psikologji konsumatore, nesër është bojkoti. Por le t'i sigurojmë vetes gjithçka që na duhet për të ngrënë sot, dhe nesër nuk do të shkojmë askund, do të pushojmë. Efektet e kësaj nuk do të jenë të mira, unë jam laik në këtë çështje, mendoj se vetëm qeveria dhe disa ministri kompetente duhet të marrin disa masa. Nëse orizi në Koçanë kushton 30 denarë, ai që blen oriz duhet t'i paguajë prodhuesit dhe t'ia sjellë tregtarit, dhe tregtari të vendosë pak nga marzhi i tij dhe ta bëjë çmim të përballueshëm”, tha ai.
Edhe pse pensioni i tij është i mjaftueshëm për shportën e konsumit, ky qytetar thotë se ka njerëz që mezi ia dalin të mbijetojnë.
“Jam pensionist, falë Zotit që marr pension, por ka njerëz me pensione shumë më të ulëta që vërtet luftojnë për të mbijetuar. Pra, mbi të gjitha, e rëndësishme është individi, do të thotë ai që prodhon, ai që transporton, ai që blen dhe tregtari. Çdokush duhet të ketë një të ardhur ose që ato të jenë brenda kufijve normalë. Është e paarsyeshme që njëri të jetë i pasur, ndërsa tjetri të mos ketë asgjë për të ngrënë,” theksoi ai.
Bashkëqytetari i tij mendon se me bojkot nuk mund të ndikohet te tregtarët.
“E mbështes pjesërisht. Nuk është e mundur të ndikosh te tregtarët në këtë mënyrë, sepse 90 për qind e mallrave te ne janë të importuara,” tha ai.
Një tjetër banuese e Shkupit mendon se tregtarët nuk janë përgjegjës për çmimet e larta të produkteve.
“Unë po bojkotoj bojkotin. Tregtarët nuk janë fajtorët kryesorë për shtrenjtimin e çmimeve. Çmimet janë të njëjta kudo ose dallimet janë shumë të vogla. Dikush tjetër po manipulon me çmimet, nuk janë vetëm tregtarët. Në fund të fundit, kemi kaq shumë institucione që mund të kontrollojnë këto ndryshime çmimesh dhe rritje të paarsyeshme. Dikush tjetër është fajtor. Shikoni sot nëpër markete, plot me blerës janë të gjitha,” tha ajo.
0 komentet