Alarmante në pavionin e sëmundjeve të brendshme në QKS Mitrovica e Kosovës, nuk ka ilaçe dhe materiale sanitare
Problemet në punën e pavionit të sëmundjeve të brendshme në Qendrën Kliniko-Spitalore të Mitrovicës së Kosovës janë pranë katastrofës humanitare, më e rëndë është se pacientëve u mungojnë ilaçet, materialet sanitare madje dhe preparatet infuzive dhe analgjezikët, ndërkohë që problemi më i madh për momentin është mungesa e oksigjenit.
Dr. Bojana Bojkoviq shefe e pavionit të sëmundjeve të brendshme të QKS në Mitrovicën e Kosovës, për Kosova Onlajn thotë se puna ka qenë veçanërisht e vështirë përgjatë muajve të fundit dhe thekson se pavioni i tyre i cili ka 83 shtretër, nuk trajton jo vetëm pacientë nga Mitrovica e Kosovës, por edhe nga qytetet tjera të Kosovës.
"Mbi të gjitha kemi pak preparate infuzioni, antibiotikë, analgjezikë dhe kemi nevojë të madhe për oksigjen. Në pavionin tonë të sëmundjeve të brendshme trajtohen pacientë që janë në gjendje shumë të rëndë dhe jo vetëm nga qyteti ynë. Në pavionin tonë trajtohen pacientë që vijnë dhe nga brendësia e Kosovës dhe Metohisë dhe për shërimin e tyre, oksigjeni është i nevojshëm” thotë dr. Bojkoviq.
Shërbimi i brendshëm i QKS Mitrovica e Kosovës ka pavionin koronar dhe njësinë gjysmë intensive ku trajtohen pacientët të cilët kanë nevojë për preparate infuzioni, antibiotikë dhe terapi trombolitike që përdoren për trajtimin e pacientëve me infarkt akut të miokardit.
“Për të tillë pacientë shqetësohemi në shërbimin tonë, ndërsa për trajtimin e tyre është i nevojshëm mbi të gjitha oksigjeni” thekson ajo.
Sipas fjalëve të saj në këtë pavion përherë ka numër të madh pacientësh, por në javët e fundit ka rënë ky numër, ashtu sikurse dhe numri i vizitave të pacientëve, ashtu dhe pacientët e shtruar.
"Shërbimi ynë numëron 83 shtretër përfshirë dhe shërbimin gjysmëintensiv dhe njësinë koronare si dhe shërbimin onkologjik” ka thënë ajo.
Siç thotë, nga ky këndvështrim mjekët po luftojnë në kushte të vështira në këtë situatë pasi përveçse janë të kufizuar për të ofruar ndihmë pacientëve të tyre në kapacitet të plotë, ndeshin në keqkuptime me ta.
Mirëpo, siç thotë ajo, fakti që pacientët nuk e kuptojnë se trajtimi i tyre në një farë mënyre është i kufizuar, është normale pasi të gjithë kanë të drejtën e trajtimit, pavarësisht nëse trajtohen në Sërbi apo Kosovë.
“Kemi shumë pak mirëkuptim dhe shpresoj që administrata jonë dhe drejtori do të na mundësojnë neve dhe pacientëve që sa më shpejt të jetë më e mirë dhe më adekuate. Shpresoj që kjo të jetë mirë dhe në periudhën e ardhshme dhe të n’a mundësojnë të punojmë më mirë dhe të mbijetojmë në këto zona” shprehet ajo.
Bojkoviq apelon mbi të gjitha tek komunitetin ndërkombëtar, EULEKS dhe autoritetet në Prishtinë që t'u mundësohet të punojnë, të trajtohen dhe të jetojnë.
“Shpresoj që të dëgjohet apeli për këtë katastrofë të vërtetë humanitare sepse paraqet ndalimin e të drejtës për jetë, shërim, punë në këto hapësira. Drejtori ynë dhe drejtoria janë shumë të përkushtuar dhe apelojmë mbi të gjitha tek bashkësia ndërkombëtare, Euleks, autoritetet në Prishtinë që të mundësojë punën, trajtimin dhe jetën në këto hapësira" ka thënë dr Bojkoviq.
komentet